Vjosa Osmani ka dërguar kallëzim penal ndaj Lule Gjelit: Qysh në maj e kemi denoncuar rastin

Profili i rremë "Lule Gjeli", i njohur për mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosjeka ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë për linçimet, shpifjet e rënda ndaj figurave politike dhe publike, shkruan Periskopi.
Një ndër të sulmuarit nga ky profil i rrejshëm është edhe ish-Presidentja Vjosa Osmani. Madje, akuzat denigruese shkuan deri në ato më të rëndat, ku përmenden afera seksuale.
Në një përgjigje për Periskopin, Egnesa Vitia, këshilltare e ish-Presidentes Osmani, ka thënë se për rastin në fjalë, sapo të zbulohet se kush qëndron prapa këtij profili, përveç denoncimit në polici dhe kallzimit penal, do të procedohen edhe paditë për shpife ndaj personit që administrojnë këtë profil.
"Ne momentin qe te zbulohet se kush qendron prapa ketij profili i cili nepermjet genjeshtrave monstruoze e linqimeve publike ka nxitur dhune e perqarje, atehere, pervec denoncimit ne polici dhe kallzimit penal do te procedohen edhe padite per shpifje ndaj personit/personave qe administrojne kete profil", tha ajo.
Tutje, Vitia bëri me dije se për sulmet ndaj ish-Presidentes Osmani, denoncime në Polici kanë bërë qysh nga muaji maj.
"Qysh ne muajin maj ne i kemi denoncuar ne Polici keto sulme ndaj Presidentes Osmani, nderkaq tani nepermjet avokateve eshte dorezuar kallzim penal edhe ne prokurori", deklaroi këshilltarja e ish-Presidentes Osmani.
Kujtojmë se në të kaluarën, Osmani ka deklaruar se sulmet personale, fushatat e dezinformimit dhe gjuha denigruese ndaj saj nuk janë vetëm çështje politike, por edhe një problem që prek funksionimin demokratik dhe sigurinë e debatit publik.
“Urdhërdhënësi ka emër dhe mbiemër”, deklaronte ish-Presidentja Vjosa Osmani për linçimet dhe ofendimet ndaj saja në një emision televiziv.
Urdhërdhënësi, sipas saj, është Kryeministri në detyrë dhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Madje, u shpreh e sigurt për të, duke iu referuar kohës që ka punuar me Vetëvendosjen dhe “dijenin për metodat e tyre”.
“Asnjë nga sulmet, ofendimet, propagandat, linçimet, manipulimet që janë bërë nga data 6 mars deri sot kundër meje nuk do të bëheshin pa dijeninë e urdhrin e zotit Kurtit. Janë fjalët e tij dhe urdhrat e tij që po zbatohen nga njerëzit e tjerë. Unë as nuk lodhem me i fajësu njerëzit e tjerë”, deklaronte Osmani.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka hapur hetim dhe po e trajton rastin e këtij profili të rremë "Lule Gjeli". Sipas raportimeve në media, pas profilit dyshohet se qëndron Gent Prokshi, shqiptar nga Kosova që jeton në SHBA.
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është ofruar të dëshmojë për personin që ai thotë se qëndron pas profilit. Ai tha se e ka takuar në Delaëare më 2021.
Abazi e përshkroi “Lule Gjelin” si pjesë të një “lufte hibride” dhe akuzoi se profili ka sulmuar edhe zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-zyrtarin Gabriel Escobar.
“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së”, shkroi Abazi, duke kërkuar hetim edhe për personat që mund të kenë urdhëruar aktivitetin.
Ai pretendoi se profili kishte ndikuar në “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në” përmes sulmeve dhe dezinformimit ndaj kundërshtarëve politikë.
Publikimi i identitetit të dyshuar shkaktoi reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai ishte sulmuar nga ky profil. /Periskopi/











