Anija turistike ngec në lumin Danub për shkak të nivelit të ulët të ujit, evakuohen mbi 180 pasagjerë

Një operacion për evakuimin e pasagjerëve të një anijeje turistike, e cila mbeti e bllokuar në lumin Danub për shkak të nivelit të ulët të ujit, u zhvillua të martën nga roja kufitare bullgare.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë, anija “Viking Ullur”, me flamur zviceran, ngeci rreth orës 02:20 të mëngjesit, rreth 25 kilometra larg qytetit të Vidinit, në veriperëndim të vendit.
Në bord ndodheshin 186 pasagjerë dhe 52 anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet bënë të ditur se aksidenti ndodhi gjatë natës, në kushte të kufizuara shikueshmërie dhe si pasojë e nivelit jashtëzakonisht të ulët të ujit në lumin Danub.
Për arsye sigurie, evakuimi i pasagjerëve u krye me ndihmën e një mjeti lundrues të rojes kufitare, ndërsa autoritetet shpresonin që operacioni të përfundonte përpara rënies së natës.
Anija kryente lundrime turistike në itinerarin mes Budapestit dhe Rumanisë. Të gjithë pasagjerët ishin shtetas të vendeve të Bashkimit Europian. Mjeti lundrues pritej të ndalonte në portin e Vidinit për furnizim me karburant, ndërsa sipas autoriteteve kishte nisur të përballej edhe me mungesë të ujit të pijshëm.
Kompania që operon anijen “Viking Ullur” kishte marrë me qira një tjetër mjet lundrues për të transportuar pasagjerët, por ai nuk arriti të afrohej pranë anijes së bllokuar.
Fotot e publikuara nga policia bullgare tregojnë pasagjerët të pajisur me jelekë shpëtimi, teksa hipnin në mjetin e rojes kufitare me ndihmën e ekipeve të shpëtimit.
Rënia e nivelit të ujit në lumin Danub vjen në një kohë kur Europa po përballet me valë të njëpasnjëshme të nxehti këtë verë. Niveli i ulët i ujit në lumin, i cili përshkon dhjetë shtete europiane, po e vështirëson ndjeshëm lundrimin.











