Kroacia me kërkesa ndaj Malit të Zi në rrugën drejt BE, ia paraqet disa kushte për plotësim – Bllokohet Kapitulli 31

Si njohësit, ashtu edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, theksojnë në vazhdimësi se rruga e anëtarësimit në union s’është e lehtë për shtetet që duan të bëhen pjesë e BE’së. Me këtë, së fundi është përballur edhe Mali i Zi. Ky i fundit, shihet si një nga shtet e Ballkanit Perëndimor, rruga e të cilit për në BE, shihet më e shpejtë se e disa të tjerave.
Porse, edhe malazezët, janë duke u ballafaquar me pengesa, e që arsye për këtë është Kroacia.
Agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, ka raportuar se, Zagrebi është bërë pengesë për Podgoricën, duke vendosur një sërë kushtesh për të dhënë pëlqimin ndaj përparimit të tyre, duke bllokuar negociatat me Brukselin për Kapitullin 31, i cili ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Që në vitin 2024, Zagrebi kishte ngritur zyrtarisht kundërshtime ndaj një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi për “gjenocidin ndaj serbëve në kampin fashist të përqendrimit të Ustashëve në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Duke prekur një çështje shumë të ndjeshme, Kroacia e konsideron këtë lëvizje politike si një provokim të nxitur nga Beogradi. Sipas të përditshmes serbe Blic, një raport i publikuar edhe nga Serbian Monitor, Kroacia i ka kërkuar Malit të Zi që deri në fund të vitit të ndërmarrë hapa vendimtarë për zgjidhjen e gjashtë çështjeve dypalëshe të pazgjidhura, në mënyrë që të marrë dritën jeshile për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Kushtet që raportohet se, Kroacia i ka kërkuar nga Mali i Zi janë:
të paguajë kompensim për ish-të burgosurit kroatë të mbajtur në kampet e robërve të luftës në Mal të Zi;
të vazhdojë kërkimet për 14 personat që ende figurojnë zyrtarisht si të zhdukur nga Lufta për Pavarësinë e Kroacisë (1991–1995);
të sigurojë ndjekjen efektive penale të krimeve të luftës;
të zgjidhë mosmarrëveshjet për pronat e konfiskuara nga familjet kroate;
të përcaktojë kufirin detar mes dy vendeve;
të kthejë anijen shkollore Jadran dhe të ruajë pllakën përkujtimore në ish-kampin e Morinjit në Mal të Zi, ku që nga viti 1991 u burgosën qindra kroatë.
Pavarësisht pengesave të vendosura nga Kroacia, Mali i Zi po vazhdon punën teknike me institucionet evropiane dhe ende konsiderohet kandidati më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Në mesin e korrikut 2026, Podgorica arriti të mbyllë përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë të rëndësishëm të negociatave, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33.











