Kontaminimi i ujit në Gostivar, raportohen edhe 109 raste të reja nga epidemia

Deri në pasditen e së martës, në Gostivar janë evidentuar edhe 109 raste të reja, të infektuar nga uji i kontaminuar.
Gjatë katër ditëve të fundit, numri i tyre ka lëvizur nga 80 deri në 125 në ditë, ndërsa numri i përgjithshëm ka shkuar në 4 mijë e 303 të infektuar.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Sasho Klekovski, ka deklaruar se numri ka lëvizur nga 80 deri në 125 gjatë katër ditëve të fundit, por sipas tij, faza akute e epidemisë është qetësuar.
“Faza akute e epidemisë në Gostivar është duke u qetësuar, në konsultim me Komisionin për Sëmundje Infektive vendosëm të vendosim mbikëqyrje të përforcuar për fazën pas akute”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje mjekëve dhe institucioneve shëndetësore në Gostivar që të fokusohen në sfidat e ardhshme, veçanërisht në monitorimin e hepatitit A dhe E, por edhe sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen pas epidemisë.
“Është thelbësore njohja e hershme e rasteve, në mënyrë që institucionet shëndetësore të reagojnë siç duhet. Kapacitetet për testime janë të përgatitura”, ka shtuar ai.
Sa i përket përdorimit të ujit, ai ka përsëritur se mund të përdoret për higjienë personale, por jo për pirje apo gatim.











