Nëna po kalonte rrugën në Korçë, vetura përplas karrocën me fëmijën mbi 1-vjeçar

Një aksident është regjistruar këtë të martë në një lagje të Korçës, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”.
Raportohet se një automjet ka përplasur një karrocë në të cilën ndodhej një fëmijë 1 vjeç e gjysmë.
Sipas informacioneve paraprake, nëna po kalonte rrugën së bashku me fëmijën, kur automjeti ka goditur karrocën.
Menjëherë pas ngjarjes, ka qenë vetë drejtuesi i mjetit ai që ka transportuar të miturin drejt Urgjencës së Spitalit të Korçës.
Burime të mediave shqiptare nga bluzat e bardha bëjnë me dije se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, policia ka nisur procedurat me drejtuesin e automjetit, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.











