Sonte rikthehet ethet e Kupës së Botës, luhet çerekfinalja e parë emocionuese

Sonte (e enjte) nga ora 22:00 sipas kohës tonë lokale, sytë e publikut të futbollit do të jenë nga Bostoni, ku Kombëtarja e Francës dhe ajo e Marokut do të takohen në çerekfinale e parë të Kupës së Botës 2026.
Ky duel na sjell një ripërsëritje të gjysmëfinales së paharrueshme nga Katari në vitin 2022, kur “Gjelat” fituan me rezultatin 2-0 dhe ndaluan fushatën historike të ekipit kombëtar maroken.
Katër vjet më vonë, “Luanët e Atlasit” kërkojnë hakmarrje sportive, ndërsa francezët duan të konfirmojnë statusin e tyre si një nga kombëtaret më të forta të futbollit sot.
Kombëtarja franceze erdhi në këtë turne me një qëllim të qartë - të shkonte deri në fund. Skuadra e tyre është plot me yje që mund ta vendosin ndeshjen me një lëvizje të vetme.
Francezët treguan një formë të lakmueshme deri në çerekfinale, duke kombinuar një mbrojtje të fortë me një tranzicion dhe shpejtësi të jashtëzakonshme në sulm.
Edhe pse në letër janë favoritë absolutë, trajneri i Francës, Didier Deschamps, është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë lloj relaksi kundër një kundërshtari kaq të motivuar. Pritet që ata të nisin në sulm që nga minuta e parë, duke u përpjekur të thyejnë rezistencën e rivalëve të tyre me një gol të hershëm.
Nga ana tjetër, Maroku dëshmoi edhe një herë se suksesi i tyre në vitin 2022 nuk ishte rastësi. Mbrojtja kompakte, luftarake dhe fanatike dhe disiplina e madhe taktike e zbukurojnë përsëri këtë përfaqësuese afrikane.
Marokenët do ta kërkojnë shansin e tyre nga kundërsulmet dhe ndërprerjet, duke u mbështetur në mbështetjen fanatike të tifozëve të tyre, të cilët me siguri do t’i mbushin tribunat e stadiumit në Boston në numër të madh.
Për ta, kjo nuk është thjesht një ndeshje e zakonshme. Kjo është një mundësi për ta që të lajnë hesapet për humbjen e dhimbshme në Katar dhe të rishkruajnë historinë e futbollit afrikan. /Telegrafi/











