Policia pranon informatë se një person në Leposaviq posedon armë, kontrollohet edhe një lokacion në Vushtrri – ja çka u gjet

Sot zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Veri, në koordinim me zyrtarët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prizren, kanë siguruar informacione se një person me inicialet A.A. (1997) me vendbanim në Leposaviq posedon armë ilegale.
Pas pranimit të informatës, njësitë policore, kanë kryer kontroll në dy lokacione në komunën e Leposaviqit dhe një lokacion në komunën e Vushtrrisë.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”;
dy bomba tymuese;
një pistoletë me gaz së bashku me një karikator;
një armë e gjatë AK-47;
një karikator i mbushur me 30 fishekë”, njofton policia.
Lidhur me rastin për të gjitha veprimet është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve dhe fton të gjithë qytetarët që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192”, njofton policia./Periskopi/











