Mbyllet përkohësisht qarkullimi në rrugën Brezovicë – Prevallë, do të asfaltohet një segment rrugor

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të mbyllet përkohësisht qarkullimi në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë, konkretisht në pjesën Fushë e Pajtimit – Prevallë.
Qarkullimi do të ndërpritet nga ora 08:00 deri në orën 18:00 për shkak të punimeve të asfaltimit, të cilat po realizohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, tha Ministria.
“Mbyllja do të realizohet për shkak të punimeve të asfaltimit në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale, ku do të asfaltohet një segment rrugor me gjatësi prej 1,050 metrash”, thuhet në njoftim.
Ministria bëri të ditur se mbyllja e përkohshme është “e domosdoshme për të mundësuar zhvillimin e punimeve në kushte të sigurta, për mbrojtjen e pjesëmarrësve në komunikacion dhe për garantimin e cilësisë së punimeve”.
“Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë, të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe udhëzimet e autoriteteve në terren. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftim.











