Gërmimet për mbetjet mortore në Zubin Potok: Dy persona ndalohen për 48 orë

Dy persona janë ndaluar për 48 orë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen gjatë procesit të zhvarrosjes (ekshumimit) në një lokacion në komunën e Zubin Potokut.
Prokuroria Speciale njoftoi se bëhet fjalë për të dyshuarit me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët janë ndaluar me vendim të prokurorit.
Zhvarrosja po kryhet me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që po i udhëheq Prokuroria Speciale.
Sipas njoftimit, procesi po realizohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës.
Prokuroria bëri të ditur se informacione të tjera do të publikohen vetëm në atë masë që nuk dëmtojnë procedurën penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.
Sipas autoriteteve, institucionet mbeten të angazhuara për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.











