Dita e 11-të e protestës, në Tiranë pritet të vijnë edhe shqiptarë nga jashtë kufijve

Qytetarët do të protestojnë edhe këtë të mërkurë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 11-të radhazi të tubimeve, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit do të mblidhen në orën 18:00 në sheshin Sheshi Skënderbej, për të marshuar më pas drejt godinës së qeverisë. Aty do të mbahen fjalime nga organizatorë, aktivistë dhe qytetarë, ndërsa në vijim protesta do të shtrihet në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Tubimi i kësaj të mërkure është cilësuar si protestë mbarëkombëtare, me thirrje për pjesëmarrje edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Organizatorët e lidhin këtë datë me përvjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, duke e konsideruar atë një simbol të bashkimit kombëtar.
Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën, Elbasanin etj.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura./Periskopi/











