Rruga drejt konstituimit të Kuvendit, paralajmërohen takime të reja

Vëmendja e skenës politike në vend, është zhvendosur drejtë formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të zgjedhjeve të 7 qershorit. Rrethi i parë i takimeve të Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, me partitë opozitare përfundoi pa marrëveshje konkrete, megjithëkëtë kryeministri në detyrë Albin Kurti, paralajmëroi se javën që vjen priten takime të tjera.
Ndërkohë që konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë pritet të ecë pa pengesa, analistët paralajmërojnë rrezik krize politike për zgjedhjen e kreut të shtetit, përpara se t'i përfundojë mandati ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Takimet e para konsultative të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, me krerët e partive opozitare përfunduan pa rezultat konkret. Përderisa opozita mbajti pozicionet se nuk ofron koalicion të menjëhershëm qeverisës, pas përfundimit të rrethit të parë të takimeve, Kurti u shpreh se është ende herët për të folur për marrëveshje konkrete.
"Do të kemi edhe takime të tjera", tha Kurti.
Me ceritfikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, kanë nisur të rrjedhin edhe afatet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja të vendit, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit.
"Ajo çfarë ka rëndësi është që seanca për zgjedhjen e presidentit duhet të zhvillohet brenda një afati 60 ditorë nga momenti i konstituimit të kuvendit derisa për formimin e qeverisë afati është më i ngushtë vetëm 40 ditë nga mandatimi prej presidentes për shkak se kandidati të parë i ka 15 ditë në rast të dështimit të kandidati të parë janë 10 ditë për ta caktuar kandidatin e dyte dhe serish 15 ditë për kandidatin tjetër , dhe në fakt tregon se rendi logjikë i gjërave mund të jetë fillimisht të zgjidhet Qeveria", thotë Eugen Cakolli nga KDI.
"Seanca mund të thirret deri në fund të këtij afati, edhe nëse nuk e thërret zonja Haxhiu, Kuvendi mblidhet vet por duhet me e pa vullnetin edhe iniciativën e partive politike se a do të ketë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse ku zgjidhet edhe çështja e presidentit tek më pastaj thirret seanca konstituive sepse paramendoni një situatë kur zgjidhet kryetari i kuvendit, konstituohet kuvendi, formohet qeveria në ndërkohë jemi pa president pa marrëveshje politike për ta zgjedhur një president të Kosovës", theksoi Naim Jakaj, hulumtues në IKD, për RTK, transmeton Periskopi.
Meqë Vetëvendosje duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nga këndvështrimi i ekspertëve të fushës nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa. Megjithëkëtë, zgjedhja e presidentit të ri mbetet një çështje tjetër që mund ta mbajë vendin në krizë institucionale dhe politike. Mandati i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës përfundon më 4 tetor të këtij viti./Periskopi/











