Grup ekstremist i majtë merr përgjegjësinë për sabotimin e linjës hekurudhore në Gjermani

Një grup radikal i ekstremit të majtë ka marrë përgjegjësinë për një akt sabotimi ndaj një linje hekurudhore në Gjermani, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit të trenave në aksin mes Këlnit dhe Dyseldorfit.
Grupi anarkist i quajtur “Kommando Angry Birds” deklaroi se qëndron pas sulmit, gjatë të cilit janë vendosur mjete shpërthyese në kanalet e kabllove pranë urës mbi lumin Wupper, në veri të qytetit Leverkusen.
Si pasojë e zjarrit të shkaktuar nga shpërthimet, janë dëmtuar kabllot e sinjalizimit hekurudhor, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht një pjesë të linjës për kryerjen e riparimeve, raportojnë mediat.
“Kommando Angry Birds” ka marrë më herët përgjegjësinë edhe për sulme të tjera ndaj objekteve infrastrukturore në Gjermani.
Grupi e përshkruan veten si një lëvizje anti-industriale dhe anti-teknologjike, e cila pretendon se synon “shkatërrimin e sistemit tekniko-industrial” për arsye që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Autoritetet gjermane i konsiderojnë akte të tilla si kërcënim ndaj infrastrukturës kritike të vendit dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e personave përgjegjës. /Periskopi/











