“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, FIFA e heshtur pas kërkesës së veçantë nga një federatë

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, FIFA e heshtur pas kërkesës së veçantë nga një federatë

FIFA ende nuk i është përgjigjur kërkesës zyrtare të Federatës Kroate të Futbollit për publikimin e audios së komunikimit të VAR-it në momentin më të diskutueshëm të Kupës së Botës 2026, sipas raportimeve.

Niveli i gjykimit në këtë turne është kritikuar gjerësisht. Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës, duke pretenduar se ishte dëmtuar nga vendimet e arbitrave.

Pas anulimit të një goli me ndërhyrjen e VAR-it, egjiptianët shkuan deri aty sa kërkuan “përjashtimin e arbitrit dhe të gjithë ekipit të tij nga Kupa e Botës pas hetimit të këtyre gabimeve”.

Zyrtarët e federatës akuzuan arbitrat për “gabime flagrante dhe refuzim për të rishikuar disa pamje”, çka solli edhe një reagim zyrtar nga drejtori i arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina.


Megjithatë, Egjipti nuk ishte i vetmi që u ndje i dëmtuar.

Kroacia u eliminua nga Portugalia në fazën e 1/16 së finales pas një goli të Gonçalo Ramos në minutën e 94-t.

Kroatët menduan se kishin barazuar në minutën e 103-të, kur Josko Gvardiol dërgoi topin në rrjetë, duke çuar ndeshjen drejt kohës shtesë.

Megjithatë, pas një rishikimi të gjatë nga VAR-i, goli u anulua pasi sensorët e integruar në topin zyrtar Adidas Trionda zbuluan një prekje minimale të topit nga sulmuesi Igor Matanovic.

Në pamje dukej sikur Matanovic nuk e kishte prekur topin me kokë, gjë që do ta mbante Mario Pasalic në pozicion të rregullt.

Por sensorët regjistruan një kontakt, të cilin vetë Matanovic e përshkroi si “një prekje shumë të lehtë me flokët”, duke bërë që Pasalic të konsiderohej në pozicion jashtë loje dhe goli të anulohej.

Në shpjegimin e saj, FIFA deklaroi: “Sipas të dhënave të teknologjisë ‘Connected Ball’, të integruar në topin zyrtar Adidas Trionda të Kupës së Botës FIFA, u vërtetua se Igor Matanovic e preku topin gjatë aksionit të golit kundër Portugalisë, duke i mundësuar arbitrit të merrte vendimin e saktë për pozicion jashtë loje dhe ta anulonte golin. Sensorët IMU të vendosur brenda topit Trionda janë në gjendje të regjistrojnë çdo kontakt, sado të vogël, i cili shfaqet në transmetim me grafikën e rrahjeve të zemrës dhe u jep zyrtarëve një nivel të paprecedentë të dhënash për të marrë vendime të shpejta dhe të sakta”.

Më shumë se një javë pas eliminimit, në Kroaci polemikat nuk janë shuar.

Drejtori teknik i Federatës Kroate të Futbollit, Stipe Pletikosa, kritikoi ashpër FIFA-n dhe zbuloi se presidenti i federatës, Marijan Kustić, ende nuk ka marrë përgjigje për kërkesën zyrtare që komunikimi i VAR-it për golin e anuluar të bëhet publik.

Federata kroate kishte argumentuar më parë se nuk ishte respektuar protokolli i VAR-it në një rast tjetër me penallti dhe se teknologjia e sensorëve ishte përdorur në mënyrë të gabuar në rastin e golit të anuluar të Gvardiolit.

Duke folur për “RTL”, Pletikosa u shpreh: “E kemi hedhur pas krahëve ndjenjën e inferioritetit kur luajmë ndaj skuadrave të mëdha dhe shpresoj që në të ardhmen fati ynë të mos vendoset nga faktorë të tjerë përveç nesh. Morëm një qëndrim zyrtar dhe menjëherë një ditë pas ndeshjes me Portugalinë, presidenti Kustić i dërgoi një letër të ashpër FIFA-s, duke kërkuar qasje në komunikimin e VAR-it për atë incident famëkeq. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Për herë të parë, FIFA ka ndaluar së mbrojturi futbollin. Ka pasur periudha më të mira dhe më të këqija, por gjithmonë e ka mbrojtur lojën. Nuk po flas për arbitrat, sepse gabimet janë pjesë normale e futbollit. Por ndërprerjet për hidratim, sensorët në top, 18 minutat shtesë në ndeshjen Kroaci–Angli… situata ka shkuar aq larg sa loja nuk po mbrohet më. Më habit fakti që njerëzit që punojnë atje, të cilët duhet t’i njohin këto situata dhe ta mbrojnë futbollin, nuk reagojnë fare”.

Pas këtij zhgënjimi, Zlatko Dalić u largua nga posti i trajnerit të Kroacisë, pasi e kishte udhëhequr kombëtaren drejt finales së Kupës së Botës në vitin 2018 dhe vendit të tretë katër vjet më vonë.

Në vend të tij është emëruar Slaven Bilić, i cili rikthehet për mandatin e dytë në krye të kombëtares kroate, pasi e kishte drejtuar ekipin edhe në periudhën 2006-2012/ Periskopi/

Të ngjashme
Dikur e denonconte, sot e bëri kryeprokuror në kohë rekord – a hyri interesi në mes?

Dikur e denonconte, sot e bëri kryeprokuror në kohë rekord – a hyri interesi në mes?

Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

Rrahje në qendër të Gjilanit, tre persona në pranga – dyshohet se u përdor edhe thikë

Rrahje në qendër të Gjilanit, tre persona në pranga – dyshohet se u përdor edhe thikë

Dyshimet për mashtrim me derivate ku u arrestuan 9 persona, ndalohen edhe dy të tjerë, detaje

Dyshimet për mashtrim me derivate ku u arrestuan 9 persona, ndalohen edhe dy të tjerë, detaje

Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione, jo për pushtet që zvarrit proceset

Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione, jo për pushtet që zvarrit proceset

“E Marta e madhe” për zgjerimin e BE-së: Katër vende kandidate avancojnë në negociatat e anëtarësimit

“E Marta e madhe” për zgjerimin e BE-së: Katër vende kandidate avancojnë në negociatat e anëtarësimit

Vritet me armë zjarri ish-basketbollisti i Golden Eagle Yllit

Vritet me armë zjarri ish-basketbollisti i Golden Eagle Yllit

KDI i kërkon Haxhiut të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive

KDI i kërkon Haxhiut të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive

945 euro në çantë, mbi 9 mijë euro në shtëpi – aktakuzë për narkotikë në Gjakovë

945 euro në çantë, mbi 9 mijë euro në shtëpi – aktakuzë për narkotikë në Gjakovë

Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit

Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit

Përparim Rama i reagon Qeverisë pas skandalit në Pediatri: “Ja, kështu punohet”

Përparim Rama i reagon Qeverisë pas skandalit në Pediatri: “Ja, kështu punohet”

Ramadani: Deklaratat e ministres serbe dëshmon që ‘‘Bota Serbe’’ është rrezik për rajonin

Ramadani: Deklaratat e ministres serbe dëshmon që ‘‘Bota Serbe’’ është rrezik për rajonin

0:000:00