Spanja ka një “hajmali” të veçantë: Pse vëllau i Lamine Yamal mund t’i sjellë fat atyre ndaj Francës?

Në një mbrëmje të mbushur me tension, emocione dhe luftë sportive mes Spanjës dhe Belgjikës, një moment i veçantë largoi për pak vëmendjen nga fusha e lojës.
Në stadiumin me rreth 70 mijë shikues, brohoritjet shpërthyen papritur. Por këtë herë nuk ishte një gol i Mikel Merinos, i cili edhe një herë u bë heroi i “Furisë së Kuqe”, dhe as ndonjë aksion magjik i Lamine Yamal që shkaktoi reagimin e jashtëzakonshëm të tifozëve.
Arsyeja ishte një fëmijë i vogël që u shfaq në ekranet gjigante të stadiumit: vëllai i Lamine Yamalit, Keyne, i cili në shtator do të festojë ditëlindjen e katërt.
Pamja e tij duke bërë një fytyrë qesharake u shndërrua në një nga momentet më të komentuar të ndeshjes.
“Fëmija nuk po bënte asgjë të pazakontë, përveçse bënte një fytyrë qesharake”, shkruan gazeta franceze L’Equipe.
Vetë ylli i Barcelonës ka treguar prapaskenën e këtij momenti, duke zbuluar se vëllai i tij e kishte paralajmëruar më herët për veprimin që do të bënte.
“Isha te fizioterapisti kur ai më telefonoi nga telefoni i nënës sime për të më thënë se do të nxirrte gjuhën jashtë”, ka rrëfyer Yamal.
Por përtej anës argëtuese, prania e vogëlushit Keyne në stadium është kthyer në një simbol të veçantë për kombëtaren spanjolle.
Sipas disa tifozëve dhe gazetarëve në Spanjë, ai tashmë konsiderohet si “hajmalia” e ekipit. Arsyeja lidhet me faktin se sa herë që ai ka qenë në tribuna, Spanja ka dalë fituese.
“Sapo të jetë atje, Spanja fiton. E pamë në Kampionatin Evropian dhe që atëherë ai është bërë hajmalia jonë me fat”, ka thënë Ben Fernandes Santos, gazetar nga Madridi për‘L’Equipe’.
Tani, me Spanjën që përgatitet për gjysmëfinalen ndaj Francës, një pyetje po qarkullon mes tifozëve: a do të jetë sërish Keyne në stadium?
Për spanjollët, përgjigjja duket e qartë – sa herë që ai shfaqet, besimi rritet. Për Francën, megjithatë, prania e vogëlushit mund të jetë një ogur jo i mirë, pasi kundërshtarët e tyre tashmë kanë një “armë” të pazakontë në anën e tyre./Telegrafi/











