KDI i kërkon Haxhiut të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje Presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, që, pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Ky institut ka kujtuar afatet kushtetuese që rrjedhin për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
KDI vlerëson se “afati tridhjetë ditor përbën afatin maksimal kushtetues për përfundimin e këtij procesi dhe nuk duhet të shndërrohet në periudhë pritjeje, pasigurie dhe mungesë të funksionimit të Kuvendit”.
“Edhe pse afati kushtetues ende nuk ka përfunduar, Presidentja në detyrë ka përgjegjësi institucionale që të shmangë çdo vonesë të panevojshme dhe të sigurojë që procesi i konstituimit të Kuvendit të fillojë në kohë dhe në përputhje me interesin publik. Veçanërisht pas një periudhe të zgjatur të funksionimit me institucione në detyrë, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë, të afta për të ushtruar përgjegjësitë tyre kushtetuese dhe për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Përvoja e proceseve të mëparshme të konstituimit të institucioneve ka treguar se vonesat e panevojshme dhe mungesa e ushtrimit me kohë të përgjegjësive institucionale mund të krijojnë bllokada dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit”, ka thënë KDI.
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga U.D. Presidentja Haxhiu që, “pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive, në një afat që mundëson përfundimin e procesit në kohë dhe shmang afrimin e panevojshëm me kufirin kushtetues të 7 gushtit”.
“t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike parlamentare që të marrin pjesë në mënyrë të plotë dhe konstruktive, në mënyrë që seanca të përfundojë me konstituimin e Kuvendit, dhe jo të mbetet vetëm një veprim formal procedural pa funksionalizimin e plotë të organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve”.
“ta informojë publikun, brenda 48 orëve, se deri kur do të përfundojnë konsultimet dhe kur pritet të bëhet publike data e seancës konstituive”. / Periskopi/











