Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnullah Gashin në pozitën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Haxhiu përmes një postimi në Facebook.
"Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Haxhiu.
Në procesin e përzgjedhjes, pas intervistimit të zhvilluar më 1 korrik 2026, Zejnullah Gashi mori vlerësimin më të lartë me 91.6 pikë. Pas tij u renditën Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.
Kandidati Atdhe Dema kishte paraqitur ankesë ndaj vlerësimit të procesit të përzgjedhjes, por Këshilli Prokurorial i Kosovës e refuzoi atë në mbledhjen e 10 korrikut.
Ndërkohë, më 19 qershor 2026, KPK-ja kishte miratuar me shumicë votash kandidaturat e pesë kandidatëve që garuan për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.











