Kurti i përgjigjet Ardian Gjinit: S’është në rregull që një parti e respektuar si AAK të refuzojë takimin me mua

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e PDk-së, Bedri Hamza, ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e të gjitha partive politike.
Teksa ka bërë kalkukime të votave të nevojshme për të qëndruar në Kuvend kur do të zgjidhet presidenti, Albin Kurti ka përmendur edhe letrën e kreut të AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka refuzuar që të takohet.
Kurti ka thënë se është e nevojshme që të takohet edhe me AAK-në dhe sipas tij s’është në rregull që të refuzohet ftesa.
“Kur i mblodha numrat, s’thashë edhe plus 7 sepse kryetari i AAK-së nuk e ka konsideruar të arsyeshme e të nevojshme që të takohet me mua. Besoj që është e rëndësishme të takohet me mua, VV ka fituar zgjedhjet. Edhe nëse s’jemi bashkë në qeveri, do të jemi bashkë në institucione. Nuk është në rregull që një parti parlamentare si AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, ka thënë Kurti.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Kurti ka thënë se s’është përgjegjësi vetëm e VV’së derisa ka listuar karakteristikat që një kandidat për president duhet t’i ketë.
“Kjo është fryma dhe germa e kushtetutës. Për qeverisje ne kemi përgjegjësi, por për president, përgjegjësia është e të gjithëve”, ka thënë Kurti./Periskopi/











