Gazetari argjentinas shpërthen në akuza: Karteli i Meksikës e detyroi Ekuadorin të humbasin, i kërcënuan lojtarët dhe familjet e tyre

Një deklaratë e gazetarit argjentinas Eduardo Feinmann ka shkaktuar reagime të shumta në prag të ndeshjes së Botërorit mes Meksikës dhe Anglisë.
Duke folur për Radio Mitre, Feinmann pretendoi se disa futbollistë të Ekuadorit kishin marrë kërcënime nga një kartel meksikan përpara ndeshjes së fazës së 1/16 së finales ndaj Meksikës, të cilën ekuadorianët e humbën me rezultat 2-0 në stadiumin Azteca.
"Çështja e Botërorit është mjaft e ndërlikuar, sepse duket se tashmë është konfirmuar se ka pasur kërcënime nga një kartel meksikan të drejtuara ndaj futbollistëve të Ekuadorit. Ata kontaktuan pesë lojtarë, duke u dhënë detaje specifike për familjarët e tyre në Ekuador dhe Meksikë. Është tronditëse".
"Ata u kërcënuan që të humbnin atë ditë në stadiumin Azteca kundër Meksikës".
"Kjo është ajo që janë kartelet e drogës, është tronditëse. Dhe duket se ata duan që Meksika të bëhet kampione e botës në vitin 2026 me çdo kusht", raporton Telegrafi, transmeton Periskopi
Megjithatë, sipas portalit meksikan De10.mx, as FIFA dhe as Federata Ekuadoriane e Futbollit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e këtyre kërcënimeve deri në këtë moment.
Para ndeshjes, Federata Ekuadoriane kishte shprehur pakënaqësi vetëm për ngjarjet që po ndodhnin pranë hotelit ku ishte akomoduar kombëtarja, konkretisht për zhurmat, serenatat dhe përdorimin e mjeteve piroteknike jashtë vendqëndrimit të ekipit.
Ndeshja mes Meksikës dhe Ekuadorit u zhvillua më 1 korrik dhe përfundoi me fitoren 2-0 të vendasve.
Në fazën e 1/8 së finales, Meksika do të përballet me Anglinë në stadiumin Azteca, në një takim që është planifikuar të zhvillohet më 6 korrik./Periskopi











