Fermerët e qumështit i reagojnë ashpër Adriana Matoshit: Tërhiqe fjalën “langareca”

Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Adriana Matoshi, duke i kërkuar asaj të tërheqë fjalën “langareca”, me të cilën ajo i ka etiketuar fermerët që protestuan një ditë më parë.
Në reagimin e publikuar, fermerët thonë se deri më tani kanë zgjedhur të mos u përgjigjen akuzave që janë bërë ndaj tyre, por theksojnë se nuk mund të heshtin përballë deklaratës së deputetes.
“Ne si fermerë kemi vendosur që të mos i përgjigjemi askujt në lidhje me akuzat që po na bëhen, mirëpo nuk mund të rrimë duarkryq përballë akuzave të deputetes Adriana Matoshi, e cila po i quan ‘langareca’ ata fermerë që protestuan dje”, thuhet në reagim.
Fermerët vlerësojnë se një gjuhë e tillë nuk i ka hije askujt, aq më pak një deputeteje që përfaqëson qytetarët në Kuvend.
Ata i bëjnë thirrje publike Matoshit që ta tërheqë këtë deklaratë, duke theksuar se me fjalët e saj po “luan me djersën e shumë familjeve”.
Postimi i plotë:
Reagim:
Ne si fermer, kemi vendos qe mos ti pergjigjemi askuj ne lidhje me akuzat qe po na behen si fermer, mirepo nuk po mund te rrijme duarkryq perballe akuzave te deputetes Adriana Matoshi, e cila po i quan langareca ata fermer te cilet protestuan dje.
Kjo gjuhe nuk i takon askuj e hiq me pak nje deputete si perfaqesuese ne Kuvend.
Ne i bejme thirrje publike ta terheq kete fjale, po luan me djersen e shume familjeve.
Po ashtu i bejme thirrje publike qe ne ta cakton secilen fytyr nga ajo proteste nese dyshon qe nuk eshte fermer, e ftojme ne vizite ne secilin fermer nga ajo proteste ta sheh mga afer aktivitetin e tij.











