Eksperti i ADN-së: Në fitilin ndezës të gjetur në vendin e ngjarjes janë gjetur shenja të Jovan Viqentijeviqit

Në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, dëshmitari i dytë, Fatmir Ademi, ka deklaruar se gjatë ekzaminimit të 50 dëshmive dhe mostrave të ADN-së janë gjetur përputhje me profilet e të akuzuarve Jovan Viqentijeviq dhe Dragisha Viqentijeviq, raporton Ekonomia Online.
Ademi, i cili aktualisht është drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka deklaruar se në një fitil kabllo ndezës, janë gjetur shenja që përputhen me profilin e ADN-së së Jovan Viqentijeviqit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë se në cilat dëshmi janë gjetur mostra të ADN-së së të pandehurve.
“Sa i përket përputhjeve të personave nën shifrat S1 S2, është Jovan Viqentijeviq dhe dëshmive S3 S4 të personit Dragisha Viqentijeviq. Në dëshmitë e caktuara i kemi dhënë në raportin e ADN-së. Në konkluzionin numër 5, ndër dëshmitë e tjera kanë qenë edhe 3 dëshmi nga vendi i ngjarjes ku janë fituar profile të përziera të ADN-së dhe në këto i kemi kontrolluar në mënyrë manuale. Në dëshminë numër 4, e që është e përshkruar një fitil kabllo ndezës me gjatësi 9 metra, gjatë kontrollimit manual ne kemi vërejtur shenjat e personit me S1, konkretisht Jovan Viqentijeviq. Prej 24 lokuseve të gjeneve që kemi analizuar, në 20 vende kemi gjetur shenjat e S1”, tha ai.
Ademi ka thënë se në këtë rast janë përdorur metoda të avancuara shkencore, të cilat janë të validuara dhe të bazuara në procedura të shkruara.
“Ne i përdorim metodat më të avancuara shkencore, të cilat janë të validuara, dhe që ekzistojnë procedura të shkruara që secili ekspert t’i përdor në mënyrë të njëjtë. Në rastin konkret ne kemi përdorur procedurën e ekstrahimit të ADN-së…”, tha ai.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, e ka pyetur dëshmitarin lidhur me rezultatet e laboratorit në Romë të Italisë, ku prokuroria kishte dërguar mostrat për interpretim të mëtejshëm të profileve të përziera të ADN-së.
“Unë raportin e kam parë dhe e kam lexuar, nga raporti e kam të qartë se laboratori në Romë e ka kryer vetëm interpretimin e rezultateve tona që i kemi fituar në Prishtinë në laboratorin tonë”, tha ai.
I pyetur nëse kishte pasur ndonjë mospërputhje apo kundërthënie mes rezultateve të laboratorit në Prishtinë dhe atij në Romë, Ademi tha se rezultatet ishin në përputhje.
“Sa i përket raportit të kolegëve italianë nuk kanë pasur kundërthënie, vetëm është vërtetuar të gjeturat tona. Raporti i tyre ka forcuar sinjalin tonë që kemi parë shenjat e personit në fjalë. Në mënyrë shkencore e kanë bërë ndërlidhjen e personit S1 në njërin prej kontribuuesve në miksturen prej 3 personave”, tha ai.











