Lufta në Iran: 18 ushtarë amerikan të vrarë dhe 624 të plagosur

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se 18 ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe 624 janë plagosur që nga nisja e konfliktit me Iranin
Pentagoni ka përditësuar të dhënat zyrtare për humbjet e Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin, duke bërë të ditur se deri më tani 18 ushtarakë amerikanë janë vrarë dhe 624 të tjerë janë plagosur.
Sipas CNN, përditësimi i publikuar të shtunën shton mbi 140 ushtarakë të plagosur në bilancin zyrtar, ndërsa rikthen edhe katër ushtarë të vrarë në sulmet iraniane, emrat e të cilëve ishin hequr më parë nga statistikat.
Shifrat e reja i referohen periudhës që nga 28 shkurti, kur Washingtoni nisi operacionet ushtarake kundër Iranit.
Ndryshimet vijnë pasi javën e kaluar Sistemi i Analizës së Humbjeve të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (DCAS) raportoi një ulje të numrit të viktimave, pavarësisht vazhdimit të sulmeve iraniane, duke nxitur pikëpyetje dhe reagime nga ligjvënësit amerikanë.
Dymbëdhjetë senatorë demokratë, anëtarë të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, i dërguan një letër sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, duke kërkuar sqarime për ndryshimet në të dhënat zyrtare.
Pentagoni deklaroi se luhatjet në statistika u shkaktuan nga “ndërprerje të përkohshme të të dhënave” në faqen e internetit të DCAS.
Përditësimi përfshin gjithashtu një kategori të re të quajtur “Operacionet Jashtë Vendit”, e cila regjistron humbjet duke filluar nga 7 korriku, megjithëse Pentagoni nuk ka sqaruar se cilit konflikt i referohet kjo kategori.
Kjo datë përkon me qëndrimin e administratës së presidentit Donald Trump se konflikti i ri me Iranin nisi zyrtarisht më 7 korrik për qëllimet e zbatimit të Aktit për Kompetencat e Luftës (War Powers Act).











