Abdixhiku e thërret Kuvendin e LDK ku vendoset për fatin e tij si kryetar, mbahet të enjten nga ora 18:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka thirrur për të enjten në orën 18:00 Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku pritet të testohet besimi brendapartiak ndaj tij.
LDK-ja lëshoi një komunikatë për media, duke njoftuar opinionin publik dhe anëtarësinë se Abdixhiku, “në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”.
“Në funksion të garantimit të rregullsisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit, Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Në zbatim të detyrimeve statutare dhe pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, Kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00”, thuhet në komunikatë.
Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Statuti, thotë LDK-ja.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se “mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit”.
Në selinë qendrore të LDK-së paraprakisht janë pranuar dhe verifikuar nënshkrimet e rreth 150 delegatëve të LDK-së që kërkojnë shkarkimin e kryetarit të partisë.
Për shkak të kësaj nisme, Abdixhiku javën e kaluar i pezulloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Abdixhiku ka paralajmëruar se ky proces mund ta dëmtojë LDK-në “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së duhet të mbahet 60 ditë nga dita e dorëzimit të nënshkrimeve, sipas statutit të kësaj partie.
Kuvendi i LDK-së i ka 355 delegatë, përfshirë kryetarin.











