LITURGJIA E T'ATIT

Shkruan: Afrim Haliti
Shumë popuj robërohen me dhunë.
Popuj tjerë robërohen përmes urisë.
Por ka edhe popuj që robërohen nga nevoja patologjike për ta adhuruar dikë.
Kjo e fundit është forma më e sofistikuar e robërisë, sepse bëhet pa pranga të imponuara nga jashtë. Njeriu ia lidhë ato vetes vetë.
Me dëshirë. Me entuziazëm. Madje, madje edhe me ekstazë morale.
Erich Frommi e kishte kuptuar këtë tmerr shumë kohë përpara se bota moderne të hynte në epokën e populizmit emocional.
Në librin “Arratia nga Liria”, ai shkruante se njeriu modern, sapo çlirohet nga një autoritet, instinktivisht fillon ta kërkojë një tjetër.
Jo për shkak se nuk e do lirinë si ide, por për shkak se liria është barrë ontologjike. Liria kërkon vetëdije e përgjegjësi. Liria kërkon guximin titanesk për të jetuar pa tutor shpirtëror.
Shumica e njerëzve nuk e përballojnë dot këtë ankth metafizik.
Prandaj Frommi thoshte se shumë individë i ikin lirisë sikur njeriu i etur që ikën nga shkretëtira drejt mirazhit të parë që i premton ujë. Madje edhe nëse ai ujë është helm.
Kosova sot është bërë laborator i egër i kësaj tragjedie psikologjike.
Shoqëri e raskapitur nga tranzicioni permanent.
Shoqëri e molisur nga pritja historike.
E rraskëllyer nga zhgënjimi ciklik.
E çoroditur mes mitit të shtetndërtimit dhe realitetit të zbrazëtisë kolektive.
Në këtë gjendje lodhjeje civilizuese, qytetarit nuk i interesojnë më institucionet. Institucionet kërkojnë durim, kulturë demokratike dhe vetëpërmbajtje intelektuale e populli i lodhur nuk ka më energji për këso luksesh të qytetërimit.
Në këso momente, populli fillon ta kërkojë figuren shpëtimtare.
Ta kërkojë njeriun tek i cili mund ta depozitojë frikën, pasigurinë, mllefin dhe në formë fataliste edhe pafuqinë e vet ekzistenciale.
Kështu lind autoritarizmi emocional.
Jo tek diktatori por tek nevoja kolektive për diktator.
Frommi këtë e quante “karakter autoritar” dmth ai individi që gjunjëzohet para pushtetit por që njëkohësisht ushtron agresion edhe ndaj kujtdo që nuk gjunjëzohet bashkë me të. Kjo është psikologji paradoksale, aty ku nënshtrimi perceptohet si forcë, ndërsa mendimi i lirë si kërcënim.
A s’është kjo ajo që çdo ditë po e shohim në Kosovë?
Sot lideri i tillë politik nuk po trajtohet më si administrator i përkohshëm i shtetit por si figurë mesianike, si autoritet moral dhe si ndërmjetësues emocional mes turmës dhe kuptimit të ekzistencës së saj politike.
Përkrahësi i tij nuk po pyet më se a po funksionon politika e tij?
Këtij përkrahësi i intereson vetëm ta pyes veten se a po ndihet i shpëtuar përmes këtij lideri?
Sapo të ndodhë kjo, politika nuk vazhdon të mbes racionalitet institucional por shndërrohet në liturgji kolektive.
Shikojeni me kujdes të madh militantizmin modern.
Ai nuk është ideologjik.
Ai është puro psikoseksual.
Frommi na ka folur për sadomazokizmin politik, atë nevojën e individit për t’iu nënshtruar një force superiore dhe, në të njëjtën kohë, për ta ushtruar atë forcë mbi të tjerët.
Për këtë arsye militantët janë kaq agresivë.
Jo për shkak se janë të fortë.
Por pikërisht sepse ndihen të vegjël.
Njeriu i cili brenda vetes ndien zbrazëti ontologjike kërkon që atë ta mbushë disi me identifikim tribal. E sa më i zbrazët të jetë individi, aq më fanatike bëhet edhe nevoja e tij për përkatësi.
Jo çuditërisht sot në Kosovë çdo kritikë ndaj liderit perceptohet si blasfemi. Çdo mospajtim me të si herezi politike e çdo mendim autonom si tradhti morale.
Për arsye se problemi më nuk është politik.
Tash problemi është antropologjik.
Shoqëria jonë gradualisht po e humb aftësinë për të jetuar pa kultin e një figure. E unë nuk jam shumë i sigurt nëse ndonjëherë e ka pasë atë aftësi.
Kjo është arsyeja pse debati publik është shndërruar në histeri emocionale. Nuk kemi më ballafaqim idesh, por rituale kolektive besnikërie. Faktet nuk kanë kurrfar peshe. Nuk kemi më qytetarë që arsyetojnë, por turma që kërkojnë konfirmim emocional për bindjet që tashmë i kanë absolutizuar.
Kështu ndodh katastrofa më elegante e autoritarizmit modern, ajo kur njerëzit fillojnë ta dorëzojnë lirinë jo nga frika… por nga dashuria.
Nga dashuria për liderin.
Për turmën.
Për ndjesinë narkotike të përkatësisë.
Frommi e kishte kuptuar se diktaturat më të rrezikshme nuk janë ato që sundojnë trupin por ato që e kolonizojnë psiqikën.
Në këto kushte, Kosova sot nuk rrezikon vetëm autoritarizëm politik.
Kosova sot rrezikon skllavëri emocionale.
Një gjendje kjo ku individi nuk mendon më për të vërtetën, por vetëm për harmoninë me trajbin e vet ideologjik. Gjendje kjo ku mendimi kritik përceptohet si devijim moral. Ku inteligjenca fillon të konsiderohet arrogancë, ndërsa serviliteti shitet si patriotizëm.
Luftuam heroikisht për t’u çliruar nga një sundimtar i huaj, por, tutje vazhdojmë t’i frikësohemi lirisë.
Sepse e duam nënshtrimin!












