Një manifest i dyshimtë antishqiptar

Një manifest i dyshimtë antishqiptar

Shkruan: Bislim Elshani

Me rastin e shpërthimit dhe reprizave ditore të protestave popullore në Tiranë të cilat kanë nisur të bëjnë për vete edhe ndonjë figurë të shquar intelektuale që deri më tash ka qëndruar si vrojtues i paanshëm, më kanë rënë në sy sidomos qëndrimet e atyre që i përkasin elitës intelektuale shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Njëri prej përkrahësve më të zellshëm të këtyre protestave nga Prishtina, militant i VV-së, dr. S. Ramabaja, këto ditë vazhdimisht ka këmbëngulur që “patriotët” e rinj shqiptarë ta lexojnë dhe ta përhapin njëfarë manifesti politik me titullin: “Përse ne shqiptarët nuk duhet të mbetemi më skllevër”, publikuar nga një ueb-faqe me emirin “Bleta shqiptare” sipas modelit të rilindësve kombëtarë ballkanikë të shekullit XIX të të gjitha nacionaliteteve. Siç rezulton nga burime të ndryshme, autori i këtij manifesti anakronik është pedagogu shqiptar Grid Rroji.

E lexova me interesim manifestin dhe sigurisht që titulli nuk më zhgënjeu: bëhej fjalë për një deklaratë politike sipas frymës së shekulli XIX nga e cila do të çuditej edhe vetë Sami Frashëri!

Tipar themelor i këtij manifesti është nihilizmi ekstrem dhe fjalori ekstremist, përjashtues e intolerant i cili të gjithë shqiptarët i ndan në dy kampe: në horra e tradhëtarë dhe në patriotë e nacionalistë. Po të gjykojë njeriu sipas incidencës së fjalëve të caktuara brenda një teksti 40-faqësh do të gjejë si vijon:

Fjala “dështim” si folje dhe si emër: 30 herë

Fjala “pari” - si një substitut joshkencor dhe mediokër i fjalës “elitë politike”: 30 herë

Fjala “krim”, “kriminel” e “kriminal”: 46 herë

Fjala “skllav”, “skllavërues” e “skllavërim”: 38 herë

Fjala “mafioz”: 9 herë

Fjala “klan” dhe „klanor“: 14 herë

Fjala “katundar”: 10 herë

Përsëritja kaq e shpeshtë e emrave dhe mbiemrave të përmendur nuk flet vetëm për zellin ekstrem të autorit për të bombarduar me breshëri fjalësh ekstreme tjetrin (armikun, joshqiptarin, antishqiptarin) por edhe për një paaftësi stilistike e oratorike që në shkencat filologjike quhet proliksitet, pleonazmë ose logorrhe. Me fjalë të tjera i gjithë teksti i autorit mund të reduktohej deri në çerekun e tij pa humbur gjë nga përmbajtja. Përse autori nuk e ka bërë një gjë të tillë mund të shpjegohet vetëm me dy faktorë: me deficite kulturore, me inkompetencë profesionale ose me zellin e tepruar të një fanatiku që përsëritja i shërben sikurse mantra priftërinjve budistë.

Për shembull, përsëritja 30 herë e fjalës dështim tregon se shteti shqiptar dhe sistemi i tij qeverisës pasqyrojnë një dështim të plotë në të gjitha fushat.

Sipas autorit, “shoqëria shqiptare është thellësisht e kriminalizuar dhe mafioze, njerëzit që e përbëjnë sillen si bagëtitë që priten herët a vonë të theren”, se paria sunduese e Tiranës janë “hiena e çakej me fytyrë njerëzore që nuk kanë as nder, as vlera, as moral, as njerëzillëk, as komb, të jesh shqiptar-vrasës e shqiptar-urrejtës është lavdërim.”, se “ne shqiptarët jemi një komb i shkërmoqur, i çoroditur, pa vlerat e pa drejtimin e duhur moral dhe politik dhe me një injorancë të theksuar politike, me një infantilizëm të spikatur politik, dhe me një mungesë vetëdije kombëtare që nuk ka krahasim me kombet e tjerë.”, se këtu tek ne “hahet, pihet, shitet nderi, jetohet si qen i lumtur dhe po bëre krimet që të kërkohen, je madje një skllav i mirëpaguar. Ata që nuk duan lirinë, nderin e sigurinë për vete e për fëmijët e tyre le të bëhen mushka droge, le të shesin fëmijët e tyre për organe e pjesë këmbimi, le të nisin vajzat e motrat për prostituta, dhe vetë të bredhin me makina të reja, të jetojnë e të vdesin për qejf e të bëhen qenie që jetojnë sot për sot me mendësinë tipike të burgut apo të kampit të përqendrimit, siç i do paria e Tiranës.”, se “Liria që japin këta është liria e shëtitjes në burg me disa lloje gardianësh që të dhunojnë në vazhdimësi nderin, dinjitetin, familjen dhe të ardhmen, e ku duhet të përballesh me hajna e kriminela, e të sillesh si ata që të mbijetosh me normat e kampit të përqëndrimit, dhe me frikën e përjetshme të ndëshkimit.”.

Një nga hilet e veçanta të këtij manifesti mediokër është edhe hedhja e dyshimit mbi prejardhjen etnike të sundimtarëve të parisë, të cilët pikërisht për këtë shkak do të cilësohen si antishqiptarë. Shteti shqiptar, sipas autorit, ka qenë vazhdimisht “i sunduar prej pakicave dhe i frymëzuar nga një ideologji shqiptar-urrejtëse dhe shqiptar-vrasëse prandaj ne sot duam “një shtet që do të na shërbejë ne, shqiptarëve e jo të huajve dhe veglave të tyre shumëetnike e shqiptar-urrejtëse që sundojnë shtetin shqiptar.” Kjo sigurisht që të kujton formulën e dikurshme idiote të një botuesi kosovar që elitën politike të Tiranës e shpotiste përmes një asocimi mbi prejardhjen e dyshimtë etnike sllave të drejtuesve politikë socialistë të fundviteve 90: “Dokle-Nano-Milo-Majko!”.

Sipas tij, “sistemi eksperimental – një deformim dhe deformues anormal i njerëzores, shtetërores, dhe kombëtares, që është i ndërtuar prej parisë së Tiranës gjatë shumë viteve të ashtuquajtura “tranzicion, ” – ka dështuar në të gjitha drejtimet dhe pa asnjë mëdyshje, në të gjithë fushat e jetës.”

Sipas tij, “Shteti nuk ka sovranitet të jashtëm dhe tashmë është një protektorat i pashpallur dhe një mandat i ngjashëm me mandatet dhe me kolonitë e dikurshme afrikane. Me mirëkuptimin dhe me shërbimin e vetëdijshëm të parisë sunduese, dhe të klaneve oligarkike politike ekonomike të parisë, shteti shqiptar është kthyer në një han pa porta për të gjithë interesat antishqiptare.”

Sipas tij, “Shteti (shqiptar) nuk i kryen funksionet e tij themelore: as të mbrojtjes, as të sigurisë, as të përfaqësimit, as të ndërmjetësimit, as të zhvillimit, as të edukimit, siç duhet dhe është i kontrolluar hapur nga interesa joshtetërore dhe antishqiptare.”

“Këtu ligji i vërtetë është vullneti i arhondëve dhe pashallarëve të rinj, të cilët përfaqësojnë interesat e strukturave rajonale, fetare, bashkësore dhe kriminale në të gjitha hallkat e shtetit.”

Për zyrtarët shqiptarë të shtetit autori thotë se janë edhe trafikantë organesh: “Ka boll deputetë që janë kriminelë e vrasës, zyrtarë që janë ish-të-burgosur, gjykatës që janë maskarenj e zhvatës, ministra që janë superhajna, politikanë që janë trafikantë droge e organesh, ndihmëse zyrash që janë edhe punjonëse seksi, drejtoresha që përdorin gjuhën e prostitutave.”

Pra njësoj si në raportin e Dick Martit për Krerët e UÇK-së!

Autori thotë: “e ashtuquajtura ekonomi e tregut është ekonomi skllevërish që mbahet me një model kapitalizmi katundar të llojit të vet.”

Termi “katundar” që e ndeshim aq shpesh në këtë tekst (10 herë) nuk është i rastësishëm. Ai më parë se sa të shpotisë kapitalizmin dhe ekonominë e tregut, përshfaq një qasje raciste kundrejt komponentit themelor të shoqërisë shqiptare. Teksti nuk ua qan hallin katundarëve shqiptarë për kushtet e tyre të rënda të jetesës, por i fyen ata si një kategori të përbuzshme dhe historikisht të dështuar.

Në kontrast me përbuzjen absurde dhe qesharake për katundarët është fryma e përgjithshme konservatore e këtij manifesti ku përbërësi kryesor i përcaktimit të kombit nuk është gjuha, siç jemi mësuar të lexojmë e të dëgjojmë deri tani, por para së gjithash gjaku, që të përkujton, përpos konceptin patriarkal të Kanunit të Lekë Dukagjinit (Neni 700 - Lisi i gjakut) edhe teorinë fashiste të gjakut dhe të tokës (Blut und Boden).

Autori bie në përfundimin ekstrem se janë “të huajt” që “e zotërojnë shtetin tonë si duan ata vetë dhe ne jemi skllevër në vendin tonë që e ka bekuar i Madhi Zot.”

Duke qenë se kjo shprehje - “i madhi zot” - nuk i ka shpëtuar autorit vetëm në një rast, por edhe në 4 raste të tjera, mund të themi se autori është një besimtar, gjë që bie në konflikt me frymën laike dhe iluministe të qytetërimit perëndimor.

Ndërkaq, duke hedhur poshtë jo një sundim të caktuar politiko-ideologjik të përkohshëm apo në tranzicion, po gjithë sistemin e krijuar pas viteve 90, autori bie në përfundim se nuk ka zgjidhje tjetër përveç ndryshimit radikal të vetë sistemit, për të ndjekur vetëm ato modele që janë treguar si të suksesshme nëpër botë. Përse ky autor nuk e përmend me këtë rast pikërisht shtetin kinez si një model suksesi, “një zot e di”. Gjithsesi, ai propozon diçka të ngjashme: në vend të sistemit të gjertanishëm kushtetues ai propozon si zgjidhje një kushtetutë të re e cila do të vendoste një republikë presidenciale. Pra një zgjidhje të re monarkisto-parlamentare midis mbretit Zog dhe kushtetutës berishiste e cila, siç dihet, pati pësuar debakël në referendumin përkatës të vitit 1998.

Po të shikohet e gjithë fryma e këtij manifesti, sipas tonit dhe urrejtjes ekstreme të përkujton thirrjet publike anarkiste të Prudonit e Bakuninit. Sipas frymës së theksuar konservatore, me gjithë përbuzjen për katundarët dhe urrejtjen për kategoritë me gjak të papastër shqiptar, ky manifest të përkujton një frymëzim fashist./ Periskopi/

Të ngjashme
Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Ukraina nuk po humb. Rusia nuk po fiton.

Ukraina nuk po humb. Rusia nuk po fiton.

Presidentja, Kryetari dhe Administratori

Presidentja, Kryetari dhe Administratori

Qëndrim i prerë nga Prattipati: Kosova të veprojë shpejt për partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën

Qëndrim i prerë nga Prattipati: Kosova të veprojë shpejt për partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën

Kur miti politik bëhet më i fortë se realiteti ekonomik

Kur miti politik bëhet më i fortë se realiteti ekonomik

Letër vajzës së vogël nga Vushtrria

Letër vajzës së vogël nga Vushtrria

Revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha

Revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha

Albin Kurtit populli i Kosovës i dha gjithçka, pse është kaq i palumtur e plot urrejtje?

Albin Kurtit populli i Kosovës i dha gjithçka, pse është kaq i palumtur e plot urrejtje?

LITURGJIA E T'ATIT

LITURGJIA E T'ATIT

Inflacioni 2.0 ose filozofia Kurtiane e bakshishit elektoral

Inflacioni 2.0 ose filozofia Kurtiane e bakshishit elektoral

Manuali i qeverisjes së një manipulatori si Albin Kurti

Manuali i qeverisjes së një manipulatori si Albin Kurti

Suksesi i radhës i Qeverisë Kurti: Kampionë në inflacion, të fundit në perspektivë

Suksesi i radhës i Qeverisë Kurti: Kampionë në inflacion, të fundit në perspektivë

0:000:00