Rama pas revolucionit “flamingo”

Shkruan: Ylli Manjani
Kështu siç duken gjërat sot, edhe pas shpërthimit të bujshëm të asaj që mund të quhet pa frikë revolucioni “flamingo”, Edi Rama politikisht duket i destinuar të mbetet kryeministër të paktën deri në shtatorin e vitit 2029.
Mund të tingëllojë e pakëndshme për kundërshtarët e tij. Mund të duket e padrejtë për ata që kanë investuar energji, zemërim dhe shpresë në rrëzimin e tij. Por politika nuk funksionon sipas dëshirave. Ajo funksionon sipas raportit të forcave.
Dhe sot nuk ekziston asnjë kërcënim real politik ndaj Edi Ramës.
Po, revolucioni i algoritmeve, i rrjeteve sociale, i videove virale, i indinjatës së organizuar dhe i turmave dixhitale mund ta ketë plagosur disi elektoralisht. Mund t’i ketë shkaktuar konsum. Mund t’i ketë dëmtuar imazhin. Por këto janë plagë me të cilat Edi Rama ka jetuar për vite me radhë.
Madje, po të shohim historinë e tij politike, ai ka mbijetuar me plagë shumë më të rënda se këto. Ka kaluar kriza politike, protesta masive, bojkote, skandale, akuza dhe fushata të tëra kundër tij. Prandaj është e vështirë të besohet se një stuhi algoritmesh, sado agresive qoftë, mund ta rrëzojë atë aty ku kanë dështuar përballje shumë më konkrete.
Problemi kryesor nuk qëndron tek forca e Ramës. Problemi qëndron tek dobësia e alternativës.
Kundërshtarët e tij, bashkësi ku pavarësisht papajtueshmërisë që kam me revolucionet, fus edhe veten, refuzojnë të kuptojnë një rregull elementar të politikës: pushteti nuk rrëzohet vetëm duke demonizuar atë që qeveris. Pushteti rrëzohet kur krijohet një alternativë më bindëse.
Dakord, ta heqim Ramën.
Po kush është përballë tij?
Kjo pyetje mbetet pa përgjigje.
Në vend të saj dëgjojmë nocione abstrakte se “populli do flasë”, se “revolucioni po vjen”, se “sistemi po bie”. Janë formula që tingëllojnë mirë në rrjete sociale, por që nuk kanë prodhuar kurrë qeveri. Populli nuk qeveris si koncept abstrakt. Revolucioni nuk administron buxhete, nuk negocion marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk merr vendime ekzekutive.
Në fund të ditës, politika reduktohet gjithmonë tek një pyetje shumë tokësore: kush është personi që kërkon të marrë timonin?
Dhe pikërisht aty opozita, revolucionarët dixhitalë dhe çdo kundërshtar i Ramës përplasen me murin e realitetit.
Sepse Edi Rama nuk ikën nga zhurma. Nuk ikën nga sharjet. Nuk ikën nga trendet e rrjeteve sociale. Nuk ikën as nga algoritmet, qofshin ato edhe mashtruese.
Edi Rama ikën vetëm kur përballë tij del një lider më i fortë politikisht, më bindës publikisht dhe më karizmatik elektoralisht. Një figurë që arrin të krijojë shpresë aty ku sot ekziston vetëm zemërim.
Kjo ka qenë gjithmonë mënyra se si ndryshon pushteti në demokraci.
Pyetja, pra, nuk është nëse Rama është plagosur. Me sa duket edhe është. Pyetja nuk është as nëse ka pakënaqësi. Ajo ekziston dhe është e dukshme.
Pyetja e vetme që ka rëndësi është: kush është ai që do ta zëvendësojë?
Deri sa të shfaqet një përgjigje serioze për këtë pyetje, Edi Rama do të vazhdojë të mbretërojë. Ndoshta më i konsumuar. Ndoshta më i lodhur. Ndoshta më i plagosur.
Por gjithsesi në fron politik, të paktën deri në shtator 2029...











