Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Lea Ypi, Zvërneci dhe tundimi i vjetër për t’i dhënë leksione botës nga Shqipëria

Nga Desada Metaj

Lea Ypi ka zgjedhur Guardian-in për të folur për protestën e Zvërnecit. Nga faqet e një prej gazetave më të njohura britanike, ajo e përdor Shqipërinë për të ngritur një akuzë më të gjerë ndaj kapitalizmit, turizmit luksoz, oligarkisë dhe modelit të zhvillimit që, sipas saj, po shkatërron natyrën dhe po zbraz vendin nga njerëzit.


Artikulli lexohet lehtë. Është i shkruar mirë. Madje prek edhe disa plagë reale të Shqipërisë së sotme. Por ndërsa e lexon, të krijohet ndjesia se autorja është më e interesuar të flasë për krizën e kapitalizmit sesa për Shqipërinë reale.

Në thelb, argumenti i saj është i qartë. Shqipëria, sipas Ypit, ka mbetur pa asgjë për të shitur përveç natyrës. Turizmi luksoz, investimet strategjike dhe ndërtimet në zona të mbrojtura nuk janë devijime të sistemit, por vetë logjika e tij. Dhe protesta e Zvërnecit shfaqet si një revoltë e vonuar kundër këtij modeli.

Por këtu nis edhe paradoksi.

Lea Ypi duket shumë e shqetësuar për sistemin, por shumë më pak për ata që e kanë ndërtuar atë. Ajo flet për oligarkinë, por jo për arkitektët e saj. Flet për deformimet e demokracisë, por jo për përgjegjësitë konkrete politike. Flet për zgjedhjet e vitit të kaluar, por nuk ndalet pothuajse fare te mënyra se si pushteti është ushtruar në Shqipëri gjatë më shumë se një dekade.

Madje, ka diçka edhe më interesante.

Në artikull, Ypi e trajton korrupsionin pothuajse si një shpjegim të pamjaftueshëm për problemet shqiptare. Ajo shkruan se konflikti politik nuk duhet parë vetëm përmes korrupsionit, sikur problemi të mos jenë individët, por vetë rregullat e sistemit.

Kjo është një tezë e njohur në qarqet akademike të së majtës perëndimore. Por për shqiptarët tingëllon disi e çuditshme. Sepse në Shqipëri sistemi nuk ka funksionuar në mënyrë abstrakte. Ai ka pasur emra, fytyra, vendime, favore, klientela dhe përgjegjësi konkrete.

Dhe pikërisht këtu mungon autokritika.

Lea Ypi shkruan për elitat politike, por harron se dy librat e saj të parë u promovuan nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, dy prej figurave më të rëndësishme të establishmentit që ajo sot paraqet si pjesë të problemit. Njëri ndodhet sot përballë një vale protestash që kërkojnë largimin e tij. Tjetri ndodhet në burg. Megjithatë, në artikull nuk gjen asnjë reflektim për këtë marrëdhënie të dikurshme afërsie dhe promovimi.

Nuk ka asnjë pyetje se si ndodhi që njerëzit që sot paraqiten si simbol i modelit që duhet kundërshtuar ishin dje promovuesit më të rëndësishëm të veprës së saj në Shqipëri.

Në vend të kësaj, problemi shpjegohet kryesisht si dështim i kapitalizmit.

Dhe këtu artikulli merr një ngjyrim që për shqiptarët nuk është krejt i panjohur.

Për dekada me radhë, Shqipëria komuniste paraqitej si “fanari ndriçues” i marksizëm-leninizmit botëror. Nga Tirana do të mësonte bota. Nga Shqipëria do të niste rezistenca ndaj revizionizmit. Nga Shqipëria do të shpëtohej socializmi.

Sot sigurisht askush nuk flet më për revolucion proletar. Por kur lexon artikullin e Ypit, nuk mund të mos vësh re një ngjashmëri të largët: edhe tani Shqipëria përdoret si një laborator ideologjik për t’i treguar botës se ku ka gabuar kapitalizmi.

Duket sikur vendi që dikur konsiderohej fanar ndriçues i komunizmit po kthehet sërish në një lloj shembulli universal. Vetëm se këtë herë jo për të shpëtuar socializmin, por për të dëshmuar krizën e kapitalizmit.

Ndoshta është thjesht rastësi. Ndoshta është thjesht formimi intelektual i autores. Ose ndoshta nostalgjia për betejat e mëdha ideologjike është më e vështirë të braktiset sesa vetë sistemi që i prodhoi ato.

Problemi është se Shqipëria e sotme nuk ka luksin e debateve teorike.

Ne nuk jemi vendi që po i jep leksione Europës për krizën e kapitalizmit. Ne jemi vendi që ende nuk ka arritur të ndërtojë institucione të qëndrueshme. Një vend ku emigracioni vazhdon të zbrazë qytetet, ku besimi te politika është në minimum dhe ku edhe institucionet më të rëndësishme kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare për të funksionuar.

Prandaj protesta e Zvërnecit mund të jetë shumë gjëra. Mund të jetë protestë mjedisore. Mund të jetë revoltë qytetare. Mund të jetë reagim ndaj mënyrës së qeverisjes.

Por ta paraqesësh kryesisht si provë të dështimit të kapitalizmit është një luks teorik që mund të tingëllojë bindës në Londër.

Në Shqipëri, problemi vazhdon të jetë shumë më konkret: mungesa e shtetit, dobësia e institucioneve dhe mungesa e përgjegjësisë politike.

Dhe këto nuk janë produkte të kapitalizmit abstrakt. Janë produkte të njerëzve konkretë që kanë qeverisur Shqipërinë.

Të ngjashme
Supremja ia rrëzon padinë Ministrisë së Drejtësisë kundër Odës së Avokatëve

Supremja ia rrëzon padinë Ministrisë së Drejtësisë kundër Odës së Avokatëve

Kush mungoi në mbledhjen e LDK-së?

Kush mungoi në mbledhjen e LDK-së?

Totaj: VV duhet me shku në opozitë

Totaj: VV duhet me shku në opozitë

ZKA: MPB pagoi mbi 119 mijë euro për punonjësit serbë që nuk shkuan asnjë ditë në punë

ZKA: MPB pagoi mbi 119 mijë euro për punonjësit serbë që nuk shkuan asnjë ditë në punë

LDK me deklaratë të përbashkët pas takimit: Rikonfirmohet mbështetja e plotë për Kryetarin e Kryesinë, zgjedhjet sipas afatave statutore

LDK me deklaratë të përbashkët pas takimit: Rikonfirmohet mbështetja e plotë për Kryetarin e Kryesinë, zgjedhjet sipas afatave statutore

Formacionet zyrtare: Brazili – Japonia

Formacionet zyrtare: Brazili – Japonia

Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

Konjufca e pranon se marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit përmban angazhime: Nuk u nënshkrua

Konjufca e pranon se marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit përmban angazhime: Nuk u nënshkrua

Vdekja e policit në Vërmicë, Sindikata e Policisë kërkon sigurim jetësor për zyrtarët

Vdekja e policit në Vërmicë, Sindikata e Policisë kërkon sigurim jetësor për zyrtarët

NATO tregon pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Ankarasë: S’lejojmë të rrezikohet siguria e rajonit

NATO tregon pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Ankarasë: S’lejojmë të rrezikohet siguria e rajonit

Juventusi s’ka besim te Zhegrova, ylli kosovar në kërkim të klubit të ri

Juventusi s’ka besim te Zhegrova, ylli kosovar në kërkim të klubit të ri

Pas 106 orësh i bllokuar nën rrënoja, nxirret i gjallë i riu në Venezuelë

Pas 106 orësh i bllokuar nën rrënoja, nxirret i gjallë i riu në Venezuelë

0:000:00