Presidentja, Kryetari dhe Administratori

Presidentja, Kryetari dhe Administratori

Shkruan: Baton Haxhiu

Aman më bëj president, aman më lër kryetar dhe më merr në qeveri. Ndërkohë Kosova priste një alternativë që nuk erdhi dhe askush nuk hyri në zgjedhje për ta mundur Albin Kurtin

Pas çdo zgjedhjeje ekziston një moment i shkurtër heshtjeje kur politika detyrohet të shohë veten në pasqyrë. Është ai çast kur propaganda pushon, duartrokitjet e militantëve zbehen dhe numrat mbeten të vetmit dëshmitarë të së vërtetës. Në Kosovë, ky moment po shmanget me një energji të pazakontë. Në vend të reflektimit po dëgjojmë arsyetime. Në vend të analizës po dëgjojmë vetëngushëllim. Dhe në vend të pyetjes se pse opozita nuk fitoi, po dëgjojmë shpjegime se pse Albin Kurti paska humbur disa mijëra vota.

Ky është paradoksi më i madh i këtyre zgjedhjeve.

Vetëvendosje humbi vota. Kjo është e vërtetë. Pas gjashtë vitesh pushtet, pas krizave të njëpasnjëshme institucionale, pas zgjedhjeve të përsëritura, pas përplasjeve me aleatët perëndimorë dhe pas një qeverisjeje që në shumë fusha nuk prodhoi rezultatet e premtuara, rënia e saj ishte e pritshme. Por po aq e vërtetë është se opozita nuk i mori ato vota.


Dhe pikërisht këtu fillon problemi i madh politik i Kosovës.

Sepse kur partia në pushtet bie dhe opozita nuk ngrihet, atëherë nuk kemi vetëm konsumim të qeverisë. Kemi krizë të alternativës.


Në vend që të dëgjonim pyetjen se si është e mundur që një qeveri e konsumuar mbetet ende forca dominuese politike, dëgjuam deklarata që në thelb festonin faktin se Albin Kurti nuk fitoi aq sa pritej.

Vjosa Osmani doli me bindjen se rezultati i saj është argument i mjaftueshëm për një mandat të ri presidencial. Lumir Abdixhiku doli me bindjen se katër humbje zgjedhore mund të shndërrohen në sukses nëse mes tyre ekziston një rritje statistikore. Ndërsa PDK po përpiqet të paraqesë stabilitetin e saj si fitore, edhe pse nuk arriti të bëhet alternativa që qytetarët prisnin.


Nëse i lexon me kujdes deklaratat e natës zgjedhore, krijohet përshtypja se secili po fliste për problemin e vet personal dhe jo për problemin politik të Kosovës.

Vjosa Osmani nuk po fliste si pjesëmarrëse në një garë parlamentare. Ajo po fliste si kandidate për presidente. Sikur zgjedhjet të kishin qenë referendum për të dhe jo garë për qeverisjen e vendit. Në thelb, ajo po i thoshte sistemit politik se nuk ekziston më arsye për të mos e zgjedhur presidente.


Por kjo është pikërisht pyetja që duhet bërë.

Nëse zgjedhjet ishin referendum për presidencën e saj, atëherë pse nuk u shndërruan në shumicë politike. Nëse rezultati është argument për presidencë, atëherë duhet të jetë edhe argument për të shpjeguar pse ky kapital politik nuk prodhoi një alternativë qeverisëse.


Lumir Abdixhiku ndërkohë zgjodhi një argument edhe më të çuditshëm. Ai tha se kishte pasur vetëm një muaj kohë.

Vetëm një muaj! Si mund ta thotë dikush këtë fjali dhe të mbetet gjallë politikisht.


Sikur të ishte zgjedhur kryetar para katër javësh, dhe po sillet sikur të mos kishte qenë kryetar për vite me radhë e të mos kishte udhëhequr partinë në katër procese zgjedhore, dhe të mos kishte marrë përsipër premtimin për ta rikthyer LDK-në në pushtet.

Në politikë ekziston një dallim i madh mes shpjegimit dhe arsyetimit. Shpjegimi kërkon përgjegjësi. Arsyetimi kërkon justifikim. Dhe deklarata e Lumirit ishte më afër justifikimit sesa reflektimit.

Sepse askush nuk po e gjykon për një muaj fushatë. Ai po gjykohet për një cikël të tërë lidershipi.

Po gjykohet për katër humbje.

Po gjykohet për katër raste kur qytetarët e Kosovës vendosën që alternativa e tij nuk ishte më bindëse sesa pushteti që kritikohej çdo ditë.

Dhe këtu lind problemi më i madh i LDK-së moderne.

Ajo ka filluar të ngatërrojë formën me përmbajtjen.

Ka filluar të besojë se korrektësia procedurale është zëvendësim për energjinë politike. Se gjuha e moderuar është zëvendësim për vizionin. Se rritja relative është zëvendësim për fitoren.

Por një parti e madhe nuk ekziston për t’u përmirësuar. Ekziston për të fituar.

Një parti e madhe nuk hyn në zgjedhje për të dëshmuar se është rritur. Hyn për të dëshmuar se mund të qeverisë.

Dhe kur katër humbje radhazi shndërrohen në argument për vazhdimësi, atëherë problemi nuk është më zgjedhor. Bëhet kulturor.

E njëjta pyetje duhet t’i drejtohet edhe PDK-së.

Sepse edhe ajo po jeton në një zonë komode të politikës. Mjaftueshëm e fortë për të mos u rrëzuar. Mjaftueshëm e dobët për të mos fituar.

Bedri Hamza është njeri korrekt. Është administrator serioz. Është figurë e respektueshme.

Por politika nuk është konkurs mirësjelljeje. Politika kërkon energji, konflikt idesh, vizion dhe aftësi për të krijuar shumicë.

Dhe nëse pas gjithë krizave të Vetëvendosjes, pas gjithë konsumimit të pushtetit dhe pas gjithë lodhjes së publikut, PDK ende nuk arrin të bëhet forca e parë, atëherë duhet të fillojë të mendojë për atë që çdo parti serioze mendon pas një cikli të tillë.

Për gjeneratën tjetër.

Kjo nuk është thirrje kundër Bedri Hamzës.

Është thirrje për PDK-në.

Sepse partitë e mëdha nuk dështojnë kur humbin zgjedhjet. Dështojnë kur fillojnë të besojnë se humbja është gjendje normale.

Dhe sot ekziston një rrezik i përbashkët për Vjosën, Lumirin dhe Bedriun.

Të tre po flasin sikur problemi kryesor i Kosovës është rënia e Albin Kurtit.

Ndërkohë që problemi real është paaftësia e tyre për ta zëvendësuar atë.

Kjo është arsyeja pse rezultati i këtyre zgjedhjeve është më brutal sesa duket.

Sepse nuk flet vetëm për kufijtë e Vetëvendosjes.

Flet edhe për kufijtë e kundërshtarëve të saj.

Dhe derisa opozita të ketë guximin ta pranojë këtë të vërtetë, Albin Kurti do të vazhdojë të fitojë edhe kur humb vota.

Sepse në fund të fundit, pushteti nuk mbahet vetëm nga forca e atij që qeveris.

Mbahet edhe nga dobësia e atyre që pretendojnë se janë gati ta zëvendësojnë.

Në fund, ndoshta problemi nuk është vetëm se opozita nuk fitoi. Problemi është se secili hyri në këto zgjedhje me një qëllim tjetër nga ai që priste Kosova.

Vjosa Osmani hyri për të prodhuar argumentin e mandatit të saj të dytë presidencial. Ajo e lexoi rezultatin si një shkallë drejt presidencës dhe jo si një përpjekje për të ndërtuar një shumicë të re politike.

Lumir Abdixhiku hyri për të shpëtuar veten. Pas katër humbjeve radhazi, ai nuk po kërkonte më fitoren. Po kërkonte arsyetimin. Dhe kur një lider fillon të kërkojë arsyetime në vend të fitoreve, ai në të vërtetë ka filluar ta pranojë humbjen si gjendje normale.

Ndërsa Bedri Hamza hyri siç hyn një administrator i mirë në zyrë të hënën në mëngjes. Me seriozitet, me korrektësi dhe me ndjenjën e detyrës. Por politika nuk është administratë. Nuk është raport financiar. Nuk është ekuilibër kontabël. Politika është energji, konflikt idesh, frymëzim dhe aftësi për t’i bërë njerëzit të besojnë se nesër mund të jetë ndryshe nga sot.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Albin Kurti vazhdon të fitojë edhe kur humb vota.

Sepse kundërshtarët e tij nuk hynë në këto zgjedhje për ta mundur atë.

Njëra hyri për t’u bërë presidente.

Tjetri hyri për të mbijetuar si kryetar i LDK.

I treti hyri për të kryer detyrën.

Dhe askush nuk hyri për ta fituar Kosovën.

Ky është sekreti i vërtetë i këtyre zgjedhjeve. Dhe ndoshta edhe tragjedia e tyre. Sepse një qeveri e konsumuar mund të humbasë vota, por ajo nuk largohet kurrë nga pushteti derisa përballë saj të dalë dikush që kërkon fitoren më shumë sesa shpëtimin e vet.

Të ngjashme
Nis numërimi i votave për kandidatët në 15 komuna, pasdite zgjerohet në 23 të tjera

Nis numërimi i votave për kandidatët në 15 komuna, pasdite zgjerohet në 23 të tjera

PDK thërret konferencë për media

PDK thërret konferencë për media

Lufta e Iranit dhe kthesa e Friedrich Merzit

Lufta e Iranit dhe kthesa e Friedrich Merzit

DW: LVV e Kurtit fiton zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, por s’ka shumicë për të qeverisur vetëm

DW: LVV e Kurtit fiton zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, por s’ka shumicë për të qeverisur vetëm

Policia e Prishtinës sekuestron 7 armë realizon 170 urdhëresa gjyqësore

Policia e Prishtinës sekuestron 7 armë realizon 170 urdhëresa gjyqësore

IKD: Gjobat e KPM-së ndaj mediave për fushatat zgjedhore janë të kundërligjshme

IKD: Gjobat e KPM-së ndaj mediave për fushatat zgjedhore janë të kundërligjshme

Policia e Prishtinës sekuestron 7 armë realizon 170 urdhëresa gjyqësore

Policia e Prishtinës sekuestron 7 armë realizon 170 urdhëresa gjyqësore

Nisë belaja në LDK, Abdixhiku kërcënon publikisht bashkëpartiakët e vet

Nisë belaja në LDK, Abdixhiku kërcënon publikisht bashkëpartiakët e vet

A votuan Thaçi dhe të tjerët në Hagë? – Gjykata Speciale jep detaje

A votuan Thaçi dhe të tjerët në Hagë? – Gjykata Speciale jep detaje

Finalizohet 100% numërimi i votave, këto janë rezultatet përfundimtare

Finalizohet 100% numërimi i votave, këto janë rezultatet përfundimtare

Përtej fituesve dhe humbësve, çfarë po i thonë qytetarët politikës?

Përtej fituesve dhe humbësve, çfarë po i thonë qytetarët politikës?

Edhe në rigjykim, Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit

Edhe në rigjykim, Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit