Kur miti politik bëhet më i fortë se realiteti ekonomik

Kosova sot po përballet me një problem të thellë politik, ekonomik dhe shoqëror: ndërthurjen e populizmit nacionalist, votës emocionale nga diaspora, investimeve spekulative në patundshmëri dhe dobësimit gradual të arritjeve institucionale të pasluftës.
Shkruan: Safet Gerxhaliu
Pas luftës, Kosova nuk ishte shtet i përkryer, por ishte një shoqëri në ndërtim. Kishte pluralizëm politik, përfaqësim relativisht të balancuar, zhvillim të infrastrukturës, rritje të sektorit privat, ndërtim institucionesh, mbështetje ndërkombëtare dhe një orientim të qartë euroatlantik. Asnjë parti nuk dominonte plotësisht skenën politike dhe kjo krijonte një lloj kontrolli demokratik natyral.
Mirëpo, gjatë viteve të fundit është ndërtuar një narrativë e rrezikshme: se në Kosovë “nuk është bërë asgjë”, se çdo qeveri e kaluar ka qenë vetëm dështim dhe se vendi ka nevojë për një ndryshim revolucionar, jo për reformë institucionale. Kjo narrativë nuk është thjesht kritikë politike; ajo është mohim i historisë së zhvillimit të Kosovës.
Një pjesë e madhe e mbështetjes për këtë lloj politike ka ardhur nga diaspora. Diaspora ka pasur rol të rëndësishëm në mbijetesën e familjeve kosovare pas luftës dhe në mbajtjen gjallë të lidhjes ekonomike me vendin. Por, me kalimin e kohës, një pjesë e saj ka filluar ta shohë Kosovën më shumë përmes nostalgjisë, frustrimit dhe idealizimit politik sesa përmes realitetit të përditshëm të qytetarëve që jetojnë këtu.
Kjo ka krijuar një paradoks të madh: njerëz që nuk i bartin çdo ditë pasojat e vendimeve politike në Kosovë ndikojnë fuqishëm në drejtimin politik të vendit. Ata votojnë për narrativa revolucionare, për konfrontim, për retorikë nacionaliste dhe për iluzion moral, ndërsa jetën, pagën, sigurimin social dhe stabilitetin e tyre i kanë jashtë Kosovës.
Në anën tjetër, diaspora ka hyrë fuqishëm edhe në tregun e patundshmërive. Një pjesë e madhe e kapitalit të diasporës nuk është orientuar drejt industrisë, prodhimit, eksportit, teknologjisë apo hapjes së vendeve të qëndrueshme të punës, por drejt blerjes së banesave, shtëpive dhe tokave. Shpesh këto prona nuk përdoren për banim real, por mbahen si investim, siguri emocionale ose aset spekulativ.
Kjo ka shkaktuar shtrembërim të rëndë ekonomik. Çmimet e banesave dhe tokave janë rritur shumë më shpejt sesa të ardhurat e qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Një i ri me pagë lokale nuk mund të konkurrojë me kapitalin e fituar në Zvicër, Gjermani, Austri apo në vendet skandinave. Kështu, qytetari rezident në Kosovë përjashtohet gradualisht nga tregu i banimit në vendin e vet.
Problemi bëhet edhe më serioz kur oferta reale zvogëlohet artificialisht. Edhe pse ndërtohen shumë banesa, një pjesë e tyre mbeten bosh, mbahen për rritje çmimi ose përdoren vetëm për disa javë në vit. Pra, në letër ka ndërtim, por në realitet nuk ka mjaftueshëm banim të qasshëm për qytetarët që jetojnë këtu.
Kjo krijon inflacion sektorial në ekonomi: rritje të çmimeve të banimit, qirave, tokave, materialeve ndërtimore dhe kostos urbane të jetesës. Edhe nëse inflacioni zyrtar i përgjithshëm bie, qytetari e ndien krizën te gjërat më themelore: banesa, qiraja, ushqimi, transporti dhe standardi i jetesës.
Në këtë kuptim, Kosova po përballet me një krizë të dyfishtë: politikisht, një pjesë e votës së jashtme mbështet radikalizëm dhe populizëm; ekonomikisht, i njëjti kapital i jashtëm kontribuon në rritjen spekulative të çmimeve të patundshmërive. Kjo e bën vendin më të polarizuar politikisht dhe më të papërballueshëm ekonomikisht.
Një pjesë e përkrahjes së brendshme, sidomos nga grupe urbane dhe qytetare, është ndërtuar mbi imazhin e kryeministrit si figurë rebeluese, morale dhe anti-sistem. Për shumë njerëz, ai nuk shihet thjesht si administrator i shtetit, por si simbol i hakmarrjes ndaj elitave të vjetra.
Ky është mekanizëm klasik populist: performanca reale e qeverisjes zëvendësohet me besnikëri emocionale ndaj figurës politike. Kjo është e rrezikshme për shtetin. Sepse kur lideri shihet si revolucionar i pagabueshëm, çdo kritikë ndaj tij shihet si tradhti, çdo dështim arsyetohet si sabotim dhe çdo rrezik ndërkombëtar paraqitet si komplot kundër vendit.
Në atë moment, demokracia dobësohet dhe zëvendësohet nga psikologjia e turmës politike.
Problemi kryesor nuk është vetëm një parti apo një lider. Problemi është modeli që po krijohet: Kosovë me retorikë patriotike, por me ekonomi spekulative; Kosovë me votë emocionale, por me institucione të dobësuara; Kosovë me banesa të shtrenjta, por me paga të ulëta; Kosovë me shumë ndërtime, por pak zhvillim produktiv; Kosovë me shumë moral politik, por pak përgjegjësi reale.











