Pa trofe të madh, por mes favoritëve: A mund ta fitojë Mbappe Topin e Artë?

Fitimi i një trofeu të madh me klubin apo kombëtaren është konsideruar shpesh ndër kriteret kryesore për triumfin në garën për Topin e Artë, por historia ka dëshmuar se ky nuk është gjithmonë kusht vendimtar.
Revista prestigjioze “France Football”, organizatore e çmimit më të rëndësishëm individual në futboll, ka rikujtuar disa raste kur lojtarët e fituan Topin e Artë edhe pa ngritur një trofe madhor ekipor gjatë atij viti.
Rasti i parë ishte ai i George Weah në vitin 1995. Sulmuesi liberian bëri histori duke u shpallur futbollisti i parë afrikan që e fitoi këtë çmim, pavarësisht se nuk kishte triumfuar në ndonjë garë të madhe me klubin apo kombëtaren.
Paraqitjet e tij individuale me Paris Saint-Germainin dhe Milanin mjaftuan për t’i bindur votuesit.
Pesë vjet më vonë, në vitin 2000, Topi i Artë i takoi Luís Figos. Portugezi u shpërblye për një sezon të jashtëzakonshëm individual, edhe pse nuk kishte fituar ndonjë trofe madhor ekipor.
Një tjetër precedent është Cristiano Ronaldo në vitin 2013. Ylli portugez triumfoi pa një trofe të madh me Real Madridin, falë statistikave të jashtëzakonshme dhe 69 golave të shënuar gjatë atij viti.
Këto raste kanë rikthyer debatin rreth Kylian Mbappés, i cili, ndonëse nuk fitoi ndonjë trofe të madh ekipor sezonin e kaluar, vazhdon të konsiderohet ndër kandidatët kryesorë për Topin e Artë.
Paraqitjet individuale, numri i golave dhe ndikimi i tij në lojë mund ta mbajnë francezin fuqishëm në garë.
Mbetet të shihet nëse Mbappé do të ndjekë gjurmët e Weah, Figos dhe Ronaldos, duke e fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll edhe pa një trofe madhor ekipor.











