Rama për rastin e Lule Gjelit: Kënd po e mbroni? – i ndërpret marrëveshjen për shfrytëzimin e "Grand Hotelit" organizatës së Jeta Xharrës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës i ka ndërprerë marrëveshjen që BIRN të shfrytëzojë hapësirën publike në “Grand Hotel”, shkruan Periskopi.
Kjo pasi, sipas Ramës “Kallxo.com e Jeta Xharra nuk ka dhënë sqarime për çështjen thelbësore rreth faqes Lule Gjeli”.
Rama tutje ka paralajmëruar që në ditët në vijim do të shqyrtojnë çdo marrëveshje me BIRN.
Në një postim në Facebook, Rama tha se reagimi i Xharrës nuk ka dhënë sqarime për, siç e cilëson ai, "çështjen thelbësore", por përkundrazi ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje.
“Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka shkruar Rama.
Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje!
Deklarata se “e dimë kush është, por nuk e tregojmë” është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohen një pyetje e thjeshtë:
Kënd po e mbroni?
Përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, si Kryeqytet nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel.
Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut.
Në ditët në vijim do të rishqyrtojmë edhe çdo marrëveshje tjetër për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë e financuar nga Kryeqyteti.











