Pacolli: Gjykata e Tiranës hoqi masat kufizuese ndaj VIA-s, synojmë hapjen sa më parë të aeroportit

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të heqë masat kufizuese që lidhen me administrimin e shoqërisë VIA, duke i cilësuar ato në kundërshtim me ligjin.
Sipas Pacollit, vendimi zëvendëson masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026 dhe rikthen të drejtën e ortakut mazhoritar, MABCO, për të administruar shoqërinë, në përputhje me arsyetimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë.
Ai pretendon se masat e vendosura më herët kanë qenë të paligjshme dhe kanë penguar zhvillimin e projektit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë bllokimin e hyrjeve në aeroport dhe ndërprerjen e punimeve nga nënkontraktorët. Pacolli bëri të ditur se gjyqtarja Miranda Nakaj është kallëzuar në SPAK, duke pretenduar se vendimet e saj bien ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë. Në reagimin e tij, ai u bëri thirrje Ministrisë, Avokaturës së Shtetit dhe Policisë që të zbatojnë vendimet e gjykatave, të garantojnë aksesin e MABCO-s në kantier dhe të mundësojnë përfundimin sa më të shpejtë të projektit, me synimin për hapjen e aeroportit.











