Sulmi i fundit rus vrau 20 persona në Ukrainë, Kievi hakmerret dhe shënjestron rafinerinë më të madhe të naftës në Rusi

Dronët ukrainas goditën rafinerinë ruse të Omskut, më e madhja në vend dhe e vendosur thellë në Siberi, në atë që do të ishte një nga sulmet më të gjata ukrainase me rreze të gjatë veprimi që nga fillimi i luftës, tha ushtria e Kievit.
Në një deklaratë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se sulmi kishte shkaktuar një zjarr në rafinerinë e Omskut, e cila ndodhet rreth 2,700 km larg territorit të kontrolluar nga Ukraina dhe afër kufirit të Rusisë me Kazakistanin.
Në një postim në Telegram, guvernatori i rajonit të Omskut, Vitaly Khotsenko, nuk specifikoi një objektiv, por tha se disa dronë ukrainas kishin arritur në “qendrën industriale veriore të Omskut”, ku ndodhet rafineria.
Ai tha se ndikimi i plotë i sulmit po vlerësohej dhe shërbimet e emergjencës po merreshin me pasojat.
Ukraina ka përshkallëzuar sulmet kundër rafinerive ruse të naftës, duke shkaktuar mungesa akute të karburantit në 11 zonat kohore të vendit.
Përveç Omskut, ushtria e Ukrainës gjatë natës goditi portet Ust-Luga dhe Vysotsk të Rusisë, të cilat merren me eksportet e naftës në Detin Baltik, si dhe objektiva në rajonet Kaluga dhe Yaroslavl, thanë guvernatorët lokalë.
Kujtojmë që në sulmin e fundit masiv të kryer gjatë natës nga Rusia në Ukrainë humbën jetën 20 persona./ Periskopi/











