KALLXO e shiti pseudonimin "Lule Gjeli" si identitet, Gashi arsyetohet se "i rrezikohej vendi i punës"

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka pranuar se mediumi nuk i kishte njoftuar lexuesit se emri “Lule Gjeli” ishte pseudonim, lidhur me opinionin "Modeli i fshehur që mund të jetë në tavolinën e marrëveshjeve Kosovë-Serbi" me autor "Lule Gjelin", të publikuar më 27.8.2020.
Gashi dha arsyetim të pazakontë për vendimin e mediumit që një opinion ta publikonte nën emrin “Lule Gjeli”, pa ua bërë të ditur lexuesve se bëhej fjalë për pseudonim.
“Kemi konsideru që i rrezikohet vendi i punës”,ka deklaruar Gashi në "Rubikon".

Në publikim, "Lule Gjeli" ishte paraqitur si identitet i zakonshëm i autorit. Nuk ishte vendosur asnjë shënim se “Lule Gjeli” ishte pseudonim, se identiteti i vërtetë ishte i njohur për redaksinë apo se emri po mbahej i fshehtë për arsye sigurie ose profesionale.
Opinionit, të publikuar me pseudonim të paraqitur si identitet i vërtetë, i ishte bashkëngjitur edhe përshkrim profesional i autorit.
Vetëm pas zhvillimeve të fundit, KALLXO.com pranoi publikisht se “Lule Gjeli” kishte qenë pseudonim dhe se redaksia e njihte identitetin e personit, por shtuan se nuk do ta bëjnë të ditur identitetin e tij.
Deklarata e autorit “i rrezikohej vendi i punës” nuk shpjegon pse ishte e nevojshme që të fshihej edhe vetë fakti se emri ishte pseudonim.











