Bajrami dorëzon kallëzim penal për deponinë në Sferkë të Pejës

Deputetja e rizgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila prej disa ditësh është përfshirë nga zjarri.
Kallëzimi penal i është dorëzuar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Bajrami ka kërkuar që të hetohet përgjegjësia e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë, duke vlerësuar se situata paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Sipas saj, për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontingjenti italian i KFOR-it, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare.
Ajo ka thënë se mbeturinat nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull të madh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat.
“Për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas saj, deponia aktualisht menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Kosovës.
Përmes kallëzimit penal, Bajrami ka kërkuar hetimin e operatorit aktual të deponisë, Ministrisë së Mjedisit, Qeverisë së Kosovës dhe çdo institucioni tjetër që mund të ketë pasur përgjegjësi ndër vite.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që të hetohet nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe përgjegjësi për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe dëmtimin e mjedisit.
Bajrami ka thënë se pret që Prokuroria ta trajtojë rastin me prioritet dhe që çdo person apo institucion përgjegjës të përballet me përgjegjësinë ligjore.











