Arsene Wenger zbulon ekipin e vetëm që mund ta ndalojë Francën të fitojë Kupën e Botës

Arsene Wenger ka dhënë mendimin e tij se cila skuadër mund ta ndalë Francën në rrugën drejt fitimit të Kupës së Botës.
Franca mbërriti në Botërorin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë si favoritja kryesore, ndërsa paraqitjet mbresëlënëse deri tani vetëm sa kanë forcuar bindjen se mund ta fitojë trofeun e tretë botëror më 19 korrik.
E udhëhequr nga Kylian Mbappe, Franca ka pranuar vetëm dy gola në pesë ndeshjet e para, ndërsa penalltia e realizuar nga Mbappe ndaj Paraguait i siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku të enjten do të përballet me Marokun.
Në një përsëritje të gjysmëfinales së Botërorit 2022, skuadra e drejtuar nga Didier Deschamps mund të sigurojë pjesëmarrjen e tretë radhazi në gjysmëfinale nëse mposht përfaqësuesen afrikane. Nëse kalon më tej, Franca do të përballet me fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës.
Wenger beson se Franca do ta fitojë Kupën e Botës, pasi sipas tij ka qenë skuadra më bindëse e këtij turneu. Megjithatë, nëse ekziston një ekip që mund ta ndalë, ai mendon se është Spanja.
"Franca do ta fitojë Kupën e Botës. E di që do të thoni: 'Sigurisht që e thua këtë, sepse je francez'. Por kur e analizon Botërorin, ritmi i garës është shumë i lartë dhe duhet të jesh në gjendje t'i përshtatesh atij”, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Sipas trajnerit legjendar, Spanja, me të cilën Franca mund të përballet në gjysmëfinale nëse të dyja skuadrat fitojnë ndeshjet e tyre çerekfinale, ka një cilësi që nuk e zotëron asnjë ekip tjetër në futbollin botëror.
"Për mua, pyetja e vërtetë është Spanja. Nëse ka një skuadër që mund ta mposhtë Francën në këtë moment, do të thosha se është Spanja, sepse niveli i saj teknik është më i lartë se ai i Francës”.
"Ata kanë cilësi dhe një kulturë të futbollit kolektiv që askush tjetër në botë nuk e ka në atë nivel”.
“Pikërisht kjo mund të jetë faktori vendimtar mes këtyre dy ekipeve, megjithëse Franca është më e fortë fizikisht", përfundoi Wenger./Periskopi/











