Aktori Jeton Zogjani ankohet në sistemin e drejtësisë: Që 8 vite po e pres një seancë

Aktori Jeton Zogjani ka reaguar publikisht për zvarritjen e një procesi gjyqësor, duke bërë të ditur se prej tetë vitesh pret që të mbahet seanca e parë në një lëndë të iniciuar në Gjykatën Themelore.
Zogjani shprehet i zhgënjyer me vonesat, duke thënë se ende nuk ka nisur asnjë seancë, pavarësisht se padinë e ka dorëzuar që në vitin 2018.
“Po e them kështu, se nuk di njeri me e ngreh një paralele me e shpjegu sa shumë janë 8 vjet. Kur gjykata e dënon dikënd me 8 vjet burg, thonë ‘e kanë fikë’. E unë, 8 vjet i kam kalu tu prit që me fillu një seancë”, ka shkruar ai.
Sipas Zogjanit, ai i është drejtuar Gjykatës Themelore për një padrejtësi që pretendon se i është bërë, por procesi ka mbetur pa asnjë zhvillim.
“Qe 8 vjet i jam drejtu Gjykatës Themelore me një padi për një padrejtësi që më është ba, dhe ende nuk ka fillu as edhe një seancë”, thekson aktori.
Ai bën të ditur se ka kërkuar ndihmë edhe nga Avokati i Popullit, por, sipas tij, pa rezultat.
“Mbas 8 vjeteve, për herë të parë po e publikoj këtë shkrim. I jam drejtu edhe Avokatit të Popullit, por kot. Nuk ka ndodh asgja”, ka deklaruar Zogjani.












