Aksidenti i rëndë në Tiranë, policia identifikon viktimat- të dy shtetas të huaj, 28-vjeçari jashtë rrezikut për jetë

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur pasditen e sotme te rrethrrotullimi i TEG-ut, ku humbën jetën dy persona.
Sipas njoftimit zyrtar, janë identifikuar dy personat që udhëtonin në kamionin pompë betoni, i cili doli nga rruga dhe përfundoi në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Viktimat janë shtetasi Mohamed Lotf, rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje dhe shtetasi Mohamed Ali, rreth 44 vjeç, pasagjeri i kamionit, i cili ndërroi jetë në spital, raporton Panaroma, transmeton Periskopi.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër tip “Volkswagen”, Roland Nuri, rreth 28 vjeç, ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët për aksidentin e ndodhur te rrethrrotullimi i TEG-ut, ju informojmë se janë identifikuar dy personat që udhëtonin në kamionin (pompë betoni) konkretisht shtetasit e huaj:
-M. L., rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje;
-M. A., rreth 44 vjeç, pasagjeri, i cili, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njofton policia.
DINAMIKA E NGJARJES
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, kamioni pompë betoni ka qenë duke lëvizur me shpejtësi në momentin që iu afrua rrethrrotullimit të TEG-ut, ku duhej të ndalonte për t’u dhënë përparësi automjeteve që qarkullonin brenda tij.
Mjeti i tonazhit të rëndë është përplasur me një automjet tip Volkswagen, i cili kishte hyrë në rrethrrotullim, dhe pas përplasjes ka humbur kontrollin, duke çarë barrierat metalike mbrojtëse dhe duke rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit. /Periskopi/











