Komunat kërkojnë ndihmë urgjente pas stuhisë: Dëmet mbi 1 milion euro në Suharekë, shtatë shkolla të dëmtuara në Malishevë

Pas stuhisë së fuqishme që goditi disa komuna të Kosovës, drejtuesit lokalë kanë ngritur alarmin për dëmet e mëdha të shkaktuara në infrastrukturë, shkolla dhe bujqësi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria për kompensimin e tyre.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se situata tashmë është stabilizuar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas tij, komuna ka formuar tre komisione për vlerësimin e dëmeve në arsim, bujqësi dhe shëndetësi publike.
Muharremaj bëri të ditur se dëmet më të mëdha janë regjistruar në shkolla, ku vetëm në sektorin e arsimit llogariten rreth 300 mijë euro, ndërsa dëmet totale në komunë pritet të tejkalojnë 1 milion euro.
“Vetëm pas rreth 40 ditësh nis viti i ri shkollor dhe duhet të riparohen kulmet e dëmtuara. Nuk kemi fonde emergjente dhe do t’i drejtohemi Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për mbështetje”, tha ai.
Ai shtoi se komuna nuk ka buxhet për kompensimin e dëmeve dhe se fermerët po përballen me humbje të mëdha, ndërsa shumë prej tyre nuk besojnë se dëmet do t’u kompensohen.
Edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se komuna vazhdon të vuajë pasojat e reshjeve të vazhdueshme, duke kujtuar se dëme të mëdha kishte pësuar edhe nga përmbytjet e muajit janar.
Sipas tij, raporti për dëmet e mëhershme, në vlerë prej rreth 642 milionë euro, është miratuar në Kuvendin Komunal dhe i është dërguar Qeverisë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Kastrati bëri të ditur se reshjet e fundit kanë dëmtuar shtatë shkolla, duke prekur fasadat, çatitë dhe pullazet, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në ura, rrjetin e kanalizimit, ujërat e zeza dhe në serrat e fermerëve.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se sipas informacioneve të marra nga komunat, më të prekura nga stuhia janë Vitia, Mamusha, Istogu, Rahoveci dhe Suhareka.











