“RTK është shndërruar në makinë propaganduese”, AGK reagon pas dorëheqjes së gazetares

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke e cilësuar këtë rast si tregues të presionit të vazhdueshëm politik dhe menaxherial në transmetuesin publik.
AGK ka shprehur keqardhje për largimin e Sejdës, e cila ka punuar për 10 vjet në RTK, duke vlerësuar se vendimi i saj lidhet me pamundësinë për ushtrimin e profesionit sipas standardeve profesionale dhe etike.
Sipas AGK-së, kjo situatë është rezultat i politikave menaxhuese në RTK që, siç thuhet në reagim, po ndikojnë në lirinë e gazetarisë dhe pavarësinë editoriale.
“Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK ka deklaruar gjithashtu se RTK-ja është shndërruar në një “makinë propaganduese”, duke theksuar se liria e medias në Kosovë është në rënie.
“RTK-ja është shndërruar tash e një kohë në makinë propaganduese të Vetëvendosjes nëpërmjet politikave redaktuese që censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit”, thuhet më tej.
Në reagim, AGK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin, siç thuhet, presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së, si dhe ka kërkuar nga Bordi i RTK-së që të ushtrojë përgjegjësitë e tij institucionale.
AGK ka shprehur solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe me gazetarët e tjerë të transmetuesit publik, duke theksuar nevojën për rikthimin e raportimit në shërbim të interesit publik./ Periskopi/











