Përtej fituesve dhe humbësve, çfarë po i thonë qytetarët politikës?

Në zgjedhjet e 7 qershorit, numri i votuesve në Listën e Votuesve ishte 1,959,962, ndërsa numri i qytetarëve që votuan ishte 722,842. Kjo përkthehet në një pjesëmarrje prej vetëm 36.88%, krahasuar me 44.99% sa ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Pra, kemi një rënie të dukshme të daljes në zgjedhje dhe një mesazh të qartë, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Këto të dhëna janë nga vendvotimet e rregullta dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës.

Si dolën partitë sipas të dhënave të KQZ-së?
LVV
2026: 42.91%
2025: 51.10%
PDK
2026: 21.08%
2025: 20.19 %
LDK
2026: 17.60%
2025: 13.24%
AAK
2026: 7.17%
2025: 5.50%

Çfarë tregojnë këto shifra?
Sipas rezultateve aktuale, LVV-ja nga 57 ulëse sa kishte bie në 48 ulëse; PDK-ja nga 22 ulëse shkon në 24 ulëse; LDK-ja nga 15 ulëse shkon në 20 ulëse, ndërsa AAK-ja nga 6 ulëse shkon në 8 ulëse.
Me numërimin e votave të diasporës dhe votave me kusht, kjo renditje mund të pësojë ndryshime në rezultatin përfundimtar. Megjithatë, tashmë është e qartë se formimi i qeverisë së ardhshme dhe zgjidhja e çështjes së presidentit do të kërkojnë bashkëpunim, dialog dhe kompromis mes partive politike.
Në anën tjetër, fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë qytetarët e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe institucionet e tjera të përfshira në organizimin e procesit, i cili u zhvillua në mënyrë demokratike dhe pa incidente serioze, shkruan Telegrafi, transmeton Periskopi.
Prandaj, pyetja që duhet shtruar nuk është vetëm kush fitoi e kush humbi, por pse kaq shumë qytetarë vendosën të mos votojnë?
A kemi të bëjmë me lodhje nga zgjedhjet e shpeshta, mungesë besimi në politikë, apo me mungesën e ofertave politike që arrijnë t'i bindin qytetarët se vota e tyre mund të sjellë ndryshim?











