Nostalgji, pas 25 vitesh bëhen bashkë protagonistët e telenovelës “Kassandra”

Një moment tejet nostalgjik dhe historik ka ndodhur për të gjithë adhuruesit e telenovelave latine.
Protagonistët e serialit kult “Kassandra”, Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos, janë ritakuar zyrtarisht së bashku. Ky ribashkim i papritur ka thyer një heshtje të gjatë, pasi shënon herën e parë që dy aktorët ndajnë të njëjtën skenë publike në më shumë se 25 vite.

Telenovela e famshme nisi transmetimin e saj origjinal në vitet 1992-1993, duke u kthyer në një fenomen botëror që thyeu të gjitha rekordet e shikueshmërisë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin në vitet ’90. Ritakimi i tyre vjen ekzaktësisht 34 vite pas fillimit të xhirimeve të këtij projekti që u kthye në një legjendë të ekranit televiziv.

Takimi i tyre ka ndodhur të shtunën, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkak për këtë rikthim u bë ftesa e veçantë që dyshja mori për të marrë pjesë në edicionin e tretë të “Top Humanity Leaders Awards”, një ngjarje madhështore që bëri bashkë një nga dyshet më të dashura të ekranit, raporton Prive.al, transmeton Periskopi.

Gjatë kësaj mbrëmjeje magjike, të dy yjet u nderuan me një vlerësim të veçantë në shenjë njohjeje për karrierat e tyre të jashtëzakonshme artistike dhe mesazhet e tyre humanitare. Fotot e tyre nga ky takim dëshmojnë se pavarësisht kohës që ka kaluar, kimia mes Osvaldo Ríos (Ignacio) dhe Coraima Torres (Kassandra) mbetet ende e palëkundur. /Periskopi/











