Nis numërimi i votave për kandidatët në 15 komuna, pasdite zgjerohet në 23 të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesi i verifikimit dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN) në gjithë Kosovën.
Procesi ka nisur paraditen e së hënës në QKN-të e 15 komunave, Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Ndërkaq, nga ora 16:00, verifikimi dhe numërimi do të nisë edhe në 23 komunat e tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, Podujevën dhe komunat e tjera.
“Për fillimin e verifikimit/numërimit në të gjitha komunat dhe për të njoftuar për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbahet konferencë për media në orën 16:30, në QKN “1 Tetori” në Prishtinë”, thotë KQZ./ Periskopi/











