Kosova mes importit të shtrenjtë të rrymës dhe ofertës amerikane për gaz

Kosova mes importit të shtrenjtë të rrymës dhe ofertës amerikane për gaz

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë thirrje të hapur Kosovës që t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan, duke e konsideruar këtë çështje strategjike për të ardhmen energjetike dhe ekonomike të vendit. Kosova ka shpenzuar rreth 735 milionë euro për importin e energjisë në katër vitet e fundit.

Ndërkohë që Kosova vazhdon të përballet me varësi të thellë nga importi i energjisë elektrike dhe me një sistem energjetik të mbështetur pothuajse tërësisht në qymyr, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shtyjnë gjithnjë e më hapur Prishtinën drejt projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.

Mesazhi nga Uashingtoni tashmë duket i qartë, nëse Kosova vonohet, rrezikon të mbetet jashtë hartës së re energjetike rajonale.

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, në një opinion kushtuar sigurisë energjetike, ka bërë thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG), duke paralajmëruar se vendi po hyn në një varësi gjithnjë e më të madhe nga importi i energjisë.


“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”.

Sipas ambasadores amerikane në Kosovë, përfshirja në projektet amerikane të gazit do të krijonte diversifikim të furnizimit me energji dhe do të forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare”, ka theksuar diplomatja amerikane.

Znj. Prattipati ka paralajmëruar se Kosova duhet të lëvizë shpejt, pasi ndërtimi i infrastrukturës së gazit kërkon vite dhe rajoni tashmë po pozicionohet për projektet e reja energjetike. Në këtë kuadër, ajo ka përmendur Korridorin Vertikal të Gazit, terminalin lundrues të LNG-së në Kroaci dhe lidhjen me gazsjellësin që po ndërtohet nga Aleksandrupolisi drejt Maqedonisë së Veriut.

Në opinion është përfshirë edhe deklarata e të Dërguarit të Posaçëm të Departamentit amerikan të Energjisë për Integrimin Energjetik, Joshua Volz, i cili ka thënë se “sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane”.


Kosova ka mbetur prapa për shkak të mungesës së qëndrimit të qartë për gazin

Presionit amerikan i është bashkuar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar që infrastruktura e gazit dhe qasja në LNG amerikan të trajtohen si përparësi strategjike kombëtare.

Sipas OEAK-së, vendet e rajonit tashmë po pozicionohen brenda korridoreve të reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjate të furnizimit.

“Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë”.

OEAK vlerëson se investimi në infrastrukturën që mundëson qasje në LNG nga SHBA-ja do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, në integrimin më të lehtë të energjisë së ripërtëritshme dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së industrive të Kosovës përballë rregullave gjithnjë e më të ashpra të Bashkimit Europian për emetimet e karbonit.

“Përtej forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës në një kohë kur kërkesat rregullatore të Bashkimit Europian, që lidhen me emetimet e karbonit, po bëhen më rigoroze dhe si të tilla do të prekin eksportuesit”.

Nga ana tjetër, eksperti i energjisë dhe drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore-INDEP, Burim Ejupi, thotë se Kosova ka mbetur prapa për shkak të mungesës së një qëndrimi të qartë politik për gazin.

“Mënyra më e lehtë e tranzicionit energjetik është përmes gazit, pasi gjatë djegies, ai emeton rreth dy herë më pak dioksid karboni. Po ashtu, termocentrali me gaz vihet në punë shumë shpejt dhe ka kapacitet të kontrolluar prodhimi”.

Ai ka theksuar se Kosova vazhdon të ketë probleme me balancimin e energjisë dhe se një termocentral me gaz do të ishte shumë i nevojshëm, sidomos duke pasur parasysh gjobat milionëshe që vendi ka paguar viteve të fundit për këtë çështje.

Sipas z. Ejupi, infrastruktura bazë tokësore për gazin ka ekzistuar edhe më herët.

“Në ish-Jugosllavi ka ekzistuar traseja prej Obiliqit deri në Shkup dhe prej Obiliqit deri në Mitrovicë. Sa i përket infrastrukturës tokësore, Kosova nuk ka nevojë për shpronësime, sepse ato tashmë ekzistojnë”.


Qeveria, me ide të vetën për gazin, jo me Amerikën

Një studim i Institutit INDEP, i publikuar në vitin 2022, kishte konstatuar se gazi natyror mund të luajë rol të rëndësishëm në adresimin e “trilemës energjetike” të Kosovës: dekarbonizimin, sigurinë e furnizimit dhe energjinë e përballueshme.

Po atë vit, një studim i financuar nga Banka Europiane për Investime kishte theksuar se Kosova mund të furnizohej me gaz përmes terminaleve të LNG-së në Greqi dhe Kroaci.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka mbajtur një qasje më të rezervuar ndaj gazit. Në vitin 2021, Qeveria Kurti kishte refuzuar projektin e mbështetur nga SHBA-ja përmes MCC-së, për lidhjen e Kosovës me rrjetin rajonal të gazit përmes Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në shkurt të vitit 2026 shprehu gatishmërinë që Kosova të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tashmë ka sinjalizuar një qasje tjetër, duke e zhvendosur fokusin nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë drejt bashkinvestimit në terminalin energjetik në Vlorë.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë. Aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilovolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim te ne”, ka deklaruar z. Kurti, raporton Monitor, transmeton Periskopi.

Ai ka shtuar se importi i drejtpërdrejtë i gazit në Kosovë nuk është opsioni i parapëlqyer i qeverisë së tij.

“Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim”.

Z. Kurti po ashtu ka përmendur idenë e “gazifikimit të qymyrit vendor”, duke deklaruar se Kosova është më e interesuar për shfrytëzimin e qymyrit që gjendet në sipërfaqe sesa për importimin direkt të gazit.

Në Strategjinë Energjetike 2022–2031 është paraparë mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, ndërsa qymyri të largohet gradualisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

“(Bashkë) investimi në termocentralet me gaz natyror, për mbulimin e kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohet me qëllim zbatimin brenda afatit të kësaj strategjie”, thuhet në dokument.

Kosova nuk ka dalje në det, gjë që e bën më të vështirë ndërtimin e infrastrukturës së gazit pa bashkëpunim me vendet fqinje. Një nga opsionet kryesore mbetet lidhja me infrastrukturën në Shqipëri ose Greqi, përmes gazsjellësit TAP ose terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë. /Periskopi

Të ngjashme
Nënsekretari i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

Nënsekretari i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

“Grupe me grekë e serbë të infiltruar në protestë”, Rama reagon sërish për protestën në Tiranë

“Grupe me grekë e serbë të infiltruar në protestë”, Rama reagon sërish për protestën në Tiranë

Ky është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

Ky është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

Rrëqebulli ballkanik kapet nga objektivi i fotografëve (VIDEO)

Rrëqebulli ballkanik kapet nga objektivi i fotografëve (VIDEO)

Ky dyshohet të jetë shkaku i aksidentit në Gjermani ku vdiqën dy të reja nga Kamenica

Ky dyshohet të jetë shkaku i aksidentit në Gjermani ku vdiqën dy të reja nga Kamenica

Hodhi armën sapo pa policinë, intervistohet një 40-vjeçar në Ferizaj

Hodhi armën sapo pa policinë, intervistohet një 40-vjeçar në Ferizaj

Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

Romelu Lukaku mesazh tifozëve pas paraqitjeve zhgënjyese të Belgjikës në Botëror

Romelu Lukaku mesazh tifozëve pas paraqitjeve zhgënjyese të Belgjikës në Botëror

Arrestohet ish-pjesëtari i familjes ‘Gambino’, shqiptari John Alite

Arrestohet ish-pjesëtari i familjes ‘Gambino’, shqiptari John Alite

Këto janë dy vajzat kosovare që u aksidentuan për vdekje në Gjermani

Këto janë dy vajzat kosovare që u aksidentuan për vdekje në Gjermani

Moti sot, pasditja shoqërohet me reshje dhe bubullima

Moti sot, pasditja shoqërohet me reshje dhe bubullima

Portieri Beiranvand "hero" i Iranit, mbyllet baras ndeshja ndaj Belgjikës

Portieri Beiranvand "hero" i Iranit, mbyllet baras ndeshja ndaj Belgjikës

0:000:00