Joe Hart ngre dyshime për topin e Botërorit

Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, ka shprehur shqetësime serioze për topin që po përdoret në Kupën e Botës 2026, pas asaj që vërejti gjatë ndeshjes mes Francës dhe Irakut.
Hart po analizonte sfidën për BBC Sport kur ndeshja u ndërpre për shkak të kushteve atmosferike dhe rrezikut nga rrufetë. Pikërisht gjatë kësaj pauze, ai komentoi golin e shënuar nga Kylian Mbappé në fitoren e Francës.
Sipas ish-portierit të Manchester City, topi i këtij Botërori po krijon vështirësi të pazakonta për portierët, veçanërisht në goditjet nga distanca.
“Portieri e sheh topin, pozicionohet, hidhet për ta pritur, por në këtë turne duket sikur llogaritjet e tyre nuk përputhen me lëvizjen e topit. Sapo topi nuk ka rrotullim, ai mbërrin shumë më shpejt sesa pritet dhe portierët nuk po arrijnë ta kontrollojnë”, tha Hart.
Ai shtoi se problemi nuk lidhet vetëm me portierin e Irakut, por ka prekur edhe emra të mëdhenj të futbollit botëror.
“Nuk është vetëm Ahmed Basil. Kemi parë të njëjtën gjë me Édouard Mendy, me Jordan Pickford dhe me Luca Zidane kundër Messit. Ata po e prekin topin, por nuk po arrijnë ta ndalin”, theksoi ai.
Komentet e Hartit kanë rikthyer kujtimet e debatit të madh rreth topit famëkeq “Jabulani” në Kupën e Botës 2010, kur shumë portierë ankoheshin për trajektoren e paparashikueshme të topit.
Hart përmendi si shembull edhe rastin e Pickfordit në fitoren 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë, kur portieri anglez arriti ta prekte goditjen e Martin Baturinës nga distanca, por nuk mundi ta mbante jashtë rrjetës.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Mendy-n në ndeshjen Senegal–Francë, kur ai preku goditjen spektakolare të Mbappes, por sërish nuk arriti ta ndalonte topin.
Sipas Hartit, numri i madh i golave të shënuar nga distanca në këtë Botëror mund të jetë tregues se dizajni i topit po ndikon më shumë sesa pritej në performancën e portierëve. /GazetaExpress/











