Çka po flitet: Top 3 ngjarjet më interesante që shënuan javën

Ashtu si dhjetëra javë në dhjetë vitet e fundit, edhe kjo javë u përshkua me temën kryesore: dialogu me Serbinë. Drafti i pranuar i Asociacionit nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka qenë top temë e javës në Kosovë. Që prej 21 tetorit, kur Pesëshja diplomatike e solli draftin në Kosovë, ai vazhdon të jetë […]
Drafti i pranuar i Asociacionit nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka qenë top temë e javës në Kosovë.
Që prej 21 tetorit, kur Pesëshja diplomatike e solli draftin në Kosovë, ai vazhdon të jetë i fshehur në sirtarët e Qeverisë, meqë kështu e kërkon ‘ndjeshmëria e negociatave’ ose çështja ‘procedurale diplomatike’. Ky ka qenë, me pak fjalë, arsyetimi që dëgjohet këto ditë, për mos-publikimin e draftit.
Shumë shpejt, kryeparlamentari Glauk Konjufca, përmes një deklarate ia heq dilemat publikut / popullit kosovar, lidhur me kushtetueshmërinë ose jo të Draftit.
Pas një leximi sipërfaqësor që Konjufca ia bën, vjen në përfundim se ‘ish’ në përputhje me Kushtetutën’.
Të njëjtin mendim por me një dilemë të vockël që tingëllon si dilemë semantike, por në fakt, ka peshë të madhe juridike, e ka kryeministri Albin Kurti, i cili nxjerr përfundimin se ‘..drafti është në përputhje me germën kushtetuese’, por se ‘nuk e di a është në përputhje edhe me frymën kushtetuese’.
E pikërisht, mungesa e ‘frymës kushtetuese’, e ka dalluar edhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, të cilin, e kishte dhënë më 23 dhjetor të vitit 2015.
Në atë vendim, Kushtetutesja pati vënë në pah, se Marrëveshja mbi parimet, ose siç Vetëvendosja opozitare preferonte ta quante “Zajednica e Isa Mustafës’, ‘nuk kishte mjaftueshëm frymë kushtetuese’ ose disa nene të saj, madje ishin në kundërshtim me po këtë frymë. E kur të rregullohej kjo frymë, Kushtetuesja pati thënë se ‘Asociacioni do të themelohet…’
(Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe)
Derisa Kushtetuesja pati nxjerr këtë vendim, nën mjegullën e pasigurisë politike në Kosovë, e shkaktuar nga protestat e gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, do të jetë po ky institucion që do ta bëj interpretimin edhe të draftit që e ka në sirtar, njeriu që e kundërshtoi më së shumti atë mekanizëm, me protesta e gaz lotsjellës: Albin Kurti.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, po ashtu dje përmes një konference për media, ripërsëriti qëndrimin e ShBA-së, të njohur tashmë, se ‘Asociacioni do të përfundojë në Kushtetuese për vlerësim’.
BE – Kosovës dhe Serbisë: Asnjë cent nga fondet tona, pa përparuar në dialog
Mediat dje kanë raportuar, se nga fondet prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, do të përfitojnë të gjitha shtetet.
Mirëpo, për Kosovën dhe Serbinë, përfitimi nga këto fonde, varet nga përparimi në dialog.
“U shpjegua se çfarë reformash priten, që të mos ndodhte më vonë që të mos na thoshit apo të mos e dinim atë kusht. Prandaj, kërkojmë që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen në bazë të marrëveshjeve të arritura. Nëse nuk ka përparim, nuk do të ketë para”, citojnë mediat deklaratën e një zyrtari të lartë të Komisionit Evropian, që shkruajnë se ka dashur të mbetet anonim.
Raporti i Progresit: ‘Progres i limituar’
Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dyja vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Progresi i limituar në shumë fusha të evidentuara në raport, nënkupton notën më të dobët për Kosovën. /Periskopi












