Amerika, Gjermania e Franca i flasin në kor pushtetit të ri: Dialog, dialog, dialog

Pushteti në Kosovë mund të ketë ndërruar, por duket se qasja e partnerëve kryesorë të shtetësisë sonë – Amerikës, Gjermanisë dhe Francës – nuk ka ndërruar. Kjo në bazë të letrave që ata i kanë dërguar ushtrueses së presidentes, Vjosa Osmanit me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë. E gjitha nisi me një letër që […]
E gjitha nisi me një letër që presidenti Joe Biden i dërgoi Vjosa Osmanit. Kjo letër i kërkonte qeverisë së re angazhim për marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo deklaratë e Bidenit vjen menjëherë pas deklarimeve të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinkenit, i cili deklaroi se kompromisi duhej bërë nga të dyja palët.
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në fushatën elektorale e kanë injoruar tërësisht çështjen e dialogut me Serbinë me arsyen se ajo nuk ishte prioritare për qytetarët e Kosovës, përcjell Periskopi.
“Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë…” – ka thënë z. Biden.

Por, edhe dy letra të tjera do të vinin në drejtim të pushtetit të ri në Kosovë që vazhdon injorimin e temës së dialogut. Njëra nga Franca dhe tjetra nga Gjermania.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, madje përgëzoi qeverinë Hoti që kishte rinisur dialogun. Por, Macron edhe porositi Kurtin që ky dialog të ndothte “mbi bazën e përparimeve që janë bërë tashmë.”

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë që Kancelarja Merkel dhe unë mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështet plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të tij të posaçëm për dialogun, z. Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme. Është e rëndësishme që diskutimet të mund të rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi të jetë zgjedhur qeveria e re e Kosovës, mbi bazën e përparimeve që janë bërë tashmë.” – ka thënë Macron.
Kurti ndërkohë ka premtuar se do të shqyrtojë marrëveshjet e bëra deri tash, duke lënë mundësinë që të minojë përparimin e bërë nga qeveritë e kaluara. Kurti dhe Vetëvendosje e kanë protestuar gati çdo marrëveshje të arritur në dhjetë vitet e kaluara me Serbinë.
Gjermania?
Shteti ynë mik reagoi me anë të presidentit Frank-Walter Steinmeier.
Edhe presidenti gjerman përgëzoi Qeverinë Hoti për “rifillimin e dialogut” derisa bëri thirrje që edhe qeveria e ardhshme të merrej me këtë temë.













