Asnjë fitues në Izrael, priten negociata të vështira për qeveri uniteti

Exit pollet e zgjedhjeve të dyta të përgjithshme brenda 5 muajve në Izrael tregojnë se partia Likud e kryeministrit Beniamin Netaniahu dhe ajo centriste bardh e blu e Benny Gantz janë kokë më kokë me rezultate. Asnjëra prej forcave politike, bashkë me aleatët, nuk arriti të siguronte mjaftueshëm vende sa për të krijuar një mazhorancë […]
Asnjëra prej forcave politike, bashkë me aleatët, nuk arriti të siguronte mjaftueshëm vende sa për të krijuar një mazhorancë parlamentare, çka shton mundësinë e negociatave të zgjatura e të vështira për një qeveri uniteti.
Në mënyrë që të tërhiqte votuesit nacionalistë, Netaniahu deklaroi se po t’i fitonte zgjedhjet, do t`i aneksonte të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.
Por as ky zotim i fortë nuk i solli mjaftueshëm vota sa për të arritur shumicën e 61 vendeve në Knesetin izraelit me 120 vende.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në shtetin hebre e vendosin ish-ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman në rolin e “kingmaker“-it.
Partia e tij laike e linjës së ashpër Yisrael Beitenu, e cila mori shumë mbështetje nga rusisht folësit, duket se e ka dyfishuar performancën e saj krahasuar me zgjedhjet e prillit.
Rezultatet e zgjedhjeve vënë në dyshim të ardhmen e Netaniahut. Lideri më jetëgjatë në politikën izraelite kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi nuk arriti të krijonte disa muaj më parë një koalicion qeverisës.
Gjatë ditëve në vijim vëmendja pritet të drejtohet te presidenti Reuven Rivlin, i cili është përgjegjës për caktimin e kandidatit që në bindjen e tij, do të ketë shanset më të mira për të krijuar qeverinë./tch












