Komuna e Bekim Jasharit i frikëson njerëzit të dalin në qytet (Foto)

Në një postim në Facebook të bërë nga z.Hysni Mehani, thuhet që drejtori për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Skënderajit, Ramiz Shala, ka kërcënuar asamblistin Malsor Bejta vetëm shkaku i kritikës, shkruan Periskopi. Më tej shtohet se i njëjti drejtor ka provokuar në seancën e 30 marsit konflikt fizik me të. Asamblisti thotë […]
Në një postim në Facebook të bërë nga z.Hysni Mehani, thuhet që drejtori për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Skënderajit, Ramiz Shala, ka kërcënuar asamblistin Malsor Bejta vetëm shkaku i kritikës, shkruan Periskopi.
Më tej shtohet se i njëjti drejtor ka provokuar në seancën e 30 marsit konflikt fizik me të. Asamblisti thotë t’i ketë kërkuar kryetarit Jashari që të ‘menaxhonte me vartësit e tij’ por ky i fundit duket se nuk ka ndërmarrë asgjë, dhe kjo vërehet në gjuhën e përdorur në Facebook nga drejtori Shala.
Siç thuhet me të drejtë në postim, përgjegjësia për kërcënimet bie te kryetari i komunës, i cili nuk do të duhej të toleronte një sjellje të tillë ndaj opozitës.
Më poshtë iu sjellim postimin e shkruar të z.Mehani, ndërkohë që në fund edhe ‘screenshotet’ e shpërndara në Facebook.
“Frikën për me dalë në qytet nuk e kemi që nga 1999, merita kryesore për këtë i takon familjes Jashari me në krye komandantin Legjendar Adem Jashari. Është e papranueshme që nën udhëheqjen e një djali të kësaj familje të kthehet kjo frikë.
Drejtori për “Kulturë, Rini e Sport” Ramiz Shala, ka kërcënuar asamblistin e “I. Q. 41000” Malsor Bejta. I njëjti drejtor më ka provokuar për të nxitur konflikt në mënyrë të vazhdueshme në seancën e fundit të mbajtur me 30. 03. 2018, për çka brenda seancës i kam kërkuar kryetarit, Bekim Jashari, që të menaxhojë me vartësit e tij. Por, siç duket kryetari nuk paska ndërmarrë asgjë, teksa i njëjti drejtor vazhdon të kërcënojë, tash asamblistin Malsor Bejta.
Përgjegjësia kryesore për këto kërcënime i takon kryetarit, Bekim Jashari, sidomos kur ai është në dijeni për sjelljet e këtij drejtori të kulturës, i cili veç drejtor i kulturës s’mund të jetë.
Tendenca që mospajtimet që i kemi për mënyrën se si qeveriset publikja, me i kthy në konflikte private dhe kërcënime të llojit: “a s’ki me jetu në Skenderaj aa”. Nuk na frikësojnë, sa na bëjnë të ndihemi keq për mendësinë qeverisëse që po instalohet, krejt kjo kur kemi parasysh se kush është në maje të hierarkisë.
Logjika e muskujve është shndërruar në dukuri të përditshme në qeverisjen aktuale në komunën tonë. Kjo logjikë vërehet edhe tek nënkryetari, Nuredin Lushtaku, i cili ka lidhje familjare me drejtorin që po kërcënon.
Kryetari i Komunës, Bekim Jashari, do duhej ta kishte shkarkuar këtë drejtor tashmë. Heshtja përballë kësaj mendësi do të thotë se ai po e legjitimon.”














