Zjari jashtë kontrollit: Gati 200 mijë persona në Francë, e 60 mijë në Spanjë detyrohen të largohen nga disa rajone

Gati 200 mijë persona janë evakuuar në jugperëndim të Francës për shkak të zjarreve të mëdha pyjore, njoftoi Ministria e Brendshme e Francës.
Rreth 57 mijë banorë u evakuuan gjatë natës në rajonin Gironde, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të evakuuarve në këtë zonë në 167 mijë.
Ndërkohë, edhe 30 mijë persona të tjerë janë evakuuar nga rajoni Landes.
Sipas Ministrisë së Brendshme, numri i përgjithshëm i personave të evakuuar në të gjithë Francën ka arritur në rreth 197 mijë.
Zjarrfikësit po hasin vështirësi në përpjekjet për të shuar zjarret e mëdha që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën. Pranë qytetit Bordo (Bordeaux), afro 200 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Ushtria franceze është angazhuar për të ndihmuar në luftimin e zjarrit në jugperëndim të vendit. Evakuimi masiv i banorëve shkaktoi bllokime të mëdha të trafikut gjatë natës.
Në Spanjë, numri i personave të zhvendosur ka kaluar 60 mijë. Një zyrtar lokal deklaroi se përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret pranë Madridit janë “përtej kapaciteteve” të zjarrfikësve.
Kushtet e motit kanë krijuar rrethanat ideale që zjarret të shpërthejnë dhe të përhapen me shpejtësi. Sipas meteorologut kryesor, pikërisht këto kushte kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës këtë herë.











