Trump thotë se nuk mendon se “ka ardhur ende koha” për një marrëveshje me Iranin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të premten komentoi luftën me Iranin dhe zhvillimet e fundit në rajon.
Për luftën
“Gjithçka po shkon jashtëzakonisht mirë. Mos u besoni lajmeve të rreme”, tha Trump gjatë fjalimit të tij në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, shkruan CNN.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara e kanë “goditur Iranin shumë rëndë” dhe se Teherani nuk ka më kapacitete detare dhe ajrore.
“U kanë mbetur shumë pak dronë, pavarësisht asaj që shihni”. tha ai.
Për bisedimet me Iranin
Trump tha gjithashtu se beson që Irani “do të donte shumë të arrinte një marrëveshje”, por se nuk mendon se “është ende gati”.
“Nuk mendoj se ka ardhur ende koha, por jam i gatshëm të dëgjoj,” deklaroi presidenti.
Më herët gjatë së premtes, duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se SHBA-ja po zhvillon negociata aktive me Iranin. Megjithatë, ai paralajmëroi se është e mundur që ushtria amerikane të vazhdojë ose edhe të përshkallëzojë fushatën e bombardimeve. Sipas tij, “ka ende shumë mundësi” për mënyrën se si mund të përfundojë konflikti.
Këto komente erdhën pasi Trump zhvilloi një takim me këshilltarët e tij më të lartë dhe anëtarët e kabinetit për të diskutuar një përshkallëzim të mundshëm të luftës, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Presidenti tha se Irani duket se po bëhet “më serioz” në negociatat që po zhvillohen.
“Mendoj se janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë. Por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje”, u shpreh ai.
Për marrëveshjen bërthamore SHBA–Arabia Saudite
Trump tha se ai dhe sekretari i tij i Energjisë nuk e kishin diskutuar këtë çështje, kur u pyet nëse kishte autorizuar Chris Wright të nënshkruante marrëveshjen.
Sipas një burimi të njohur me çështjen, Trump e ndërpreu procesin e marrëveshjes, e cila kishte qenë në negociata për një kohë të gjatë, pasi u befasua nga njoftimi i Departamentit të Energjisë të publikuar gjatë kësaj jave.










